Connect with us

Kosova

Vuçiç: Kosova po merr fshehurazi veriun

Vuçiç: Kosova po merr fshehurazi veriun

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se autoritetet në Serbi kanë informacione se “shqiptarët heshturazi” po bëjnë përpjekje “të marrin veriun e Kosovës”.

Duke folur në një ngjarje në qytetin e Pozharevcit, ai tha se ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë ka deklaruar se policia kontrollon plotësisht Liqenin e Ujmanit, në veri të Kosovës.

Vuçiç tha se një gjë e tillë është në shkelje të Marrëveshjes së Brukselit.

“…sepse, me Marrëveshjen e Brukselit, policia në veri duhet t’i takojë Drejtorisë së Veriut, gjegjësisht serbët duhet të jenë aty”, tha presidenti serb.

Më herët Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se “Policia e Kosovës filloi sot me patrullimin e rregullt të vijës kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe gjithë hapësirës së Liqenit të Ujmanit” dhe se “kjo ndodh për herë të parë që nga paslufta”.

“I paralajmëroj se populli serb nuk do të tolerojë më dhunën apo mosrespektimin e normave juridike ndërkombëtare. Ky është paralajmërimi im për ata që do të vijnë në Beograd dhe për të gjithë të tjerët”, tha Vuçiç.

Siç është njoftuar më herët, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të qëndrojë më 9 shtator në Kosovë dhe Serbi. Ai do të shoqërohet nga këshilltarët e sapoemëruar të Gjermanisë dhe Francës.

Presidenti serb gjithashtu do të mbledhë më 10 shtator Keshillin e Sigurisë Kombëtare, në të cilën temë kryesore u tha se do të jetë situata në Kosovë dhe sfidat e sigurisë.

 

 

Advertisement