Connect with us

Rajon

Vuçiç: Kam qënë për ndryshimin e kufijve

Vuçiç: Kam qënë për ndryshimin e kufijve, por jo më…

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se rishkrimin e kufijve me Kosovën dikur e ka parë si zgjedhje, por shtoi se këtë nuk e mendon më, pasi “rrethanat tani kanë ndryshuar”.

Vuçiç i bëri komentet në një seancë të Kuvendit të Serbisë, ku për të dytën ditë me radhë u diskutua për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

Vuçiç tha se situata politike ka ndryshuar “jo vetëm me vullnetin tonë, por edhe me vullnetin e fuqive të mëdha”.

“Pozicioni nuk mund të jetë i njëjtë para dhe pas vitit 1999, as pas vitit 2008, as pas vitit 2010”, tha Vuçiç duke shtuar se “disa veprime e kanë vështirësuar pozitën e tij”.

 “Nuk po fsheh asgjë, kam menduar se demarkacioni i kufirit është zgjidhje. E kam kuptuar se kjo është e pamundur, sepse të gjithë më jeni hedhur në kokë”, tha Vuçiç, pa ofruar më shumë detaje.

 Ideja e ndryshimit të kufijve, si zgjidhje e mundshme për mosmarrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë, është shpalosur në vitin 2018 nga Vuçiç dhe Thaçi. Megjithatë, kjo ide ka hasur në reagime pro dhe kundër, si në Kosovë e Serbi, ashtu edhe në qarqet ndërkombëtare. Kritikët kanë thënë se ajo do të mund të shkaktonte efekt domino edhe midis vendeve të tjera që kanë çështje të hapura.

Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh prej vitit 2011. Përkundër dhjetëra marrëveshjeve të arritura, zbatimi i shumë prej tyre ka ngecur.

Kosova këmbëngul që kjo marrëveshje të përfshijë njohje të ndërsjellë, por Serbia refuzon, duke insistuar në një “zgjidhje kompromisi”.

Në seancën e Kuvendit të Serbisë, Vuçiç tha se “Serbia nuk do ta njohë, as drejtpërdrejt, as tërthorazi pavarësinë e njëanshme të Kosovës”.

 

Advertisement