Thinking ...
Connect with us

Kosova

HAGE/ ORET E VERDIKTIT PER KRERET E UÇK

Pas më shumë se pesë vitesh paraburgim dhe një procesi të gjatë gjyqësor, në Hagë mbërrin dita e vendimit për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara ka caktuar për 16 shtator 2026, në orën 10:00, shpalljen e aktgjykimit në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Seanca do të zhvillohet në publik dhe do të transmetohet me një vonesë prej 10 minutash, në gjuhët shqipe, angleze dhe serbe.

Në Hagë janë marrë masat për pritjen e familjarëve, qytetarëve dhe përfaqësuesve të medias. Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se personave të cilëve u është caktuar ulëse në galerinë publike, qendrën e medias apo dhomat e informimit, u janë dërguar njoftimet përkatëse.

Procesi gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së u përmbyll me fjalët përfundimtare në shkurt të vitit 2026.

Prokuroria Speciale ka kërkuar 45 vite burgim për secilin prej të akuzuarve, ndërsa mbrojtja ka kërkuar shpalljen e tyre të pafajshëm.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa ndodhen në paraburgim që prej nëntorit të vitit 2020.

Në ditën e vendimit, në Hagë do të jetë edhe Qeveria e Kosovës. Zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, së bashku me ministrin për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, do ta ndjekin seancën nga galeria e Dhomave të Specializuara.

Prania e tyre është konfirmuar nga zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuka.

Ndërkohë, në Hagë kanë mbërritur tashmë edhe familjarë të katër të akuzuarve, qytetarë nga Kosova dhe pjesëtarë të diasporës.

Ata pritet të marrin pjesë në tubimin e paralajmëruar një ditë para shpalljes së aktgjykimit, ndërsa më 16 shtator do të jenë pranë familjeve të ish-krerëve të UÇK-së në një prej momenteve më të rëndësishme dhe më të ndjeshme për Kosovën.

Pas pesë vitesh paraburgim dhe një procesi që ka marrë vëmendjen e Kosovës dhe të komunitetit ndërkombëtar, më 16 shtator, në orën 10:00, në Hagë do të thuhet fjala e gjykatës………………………

 

Advertisement