Ekonomi
Rritja e çmimit/ Konsumi mbi 800 kW/h do jetë 42 lekë për kW/h
OSHEE ka aplikuar në ERE përmes furnizuesit të shërbimit universal për rritjen e çmimit të energjisë për konsumin mbi 800 kilovat orë në muaj për klientët familjarë për periudhën tetor-dhjetor 2022.
Në aplikim thuhet se KESH ka rritur çmimin mesatar të blerjes së energjisë nga FSHU për konsumin mbi 800 kilovat orë ne muaj për klientët familjarë nga 2,6 lekë/kWh në 34,3 lekë/kWh.
Rritja është mbi 1300 % dhe vetëm për tre muaj kosto shtesë që do të përballohet nga xhepat e qytetarëve që kalojnë konsumin mujor mbi 800 kilovat është 1,8 miliard lekë, ose rreth 16 milion euro. Por 34,3 lekë/kWh nuk është çmimi që do të paguajnë familjarët, pasi FSHU do t’i shtojë edhe kostot e tjera të operimit që i ka llogaritur në 8,5 lekë/kWh.
Nga tabelat e publikuara zbulohet se çmimi për konsumin mbi 800 kWh për familjarët do të jetë 42 lekë/kWh. Për momentin tarifat e energjisë për bizneset në tension të ulët s’do të preken. Nga ana tjetër nuk dihet se çfarë politike do të ndiqet pas dhjetorit nga qeveria, pasi aplikimi i FSHU është vetëm për tre muajt e mbetur të vitit.
Ndërkohë në kostot e çmimeve të energjisë për vitin e ardhshëm mund të rëndojë nëse miratohet nga ere edhe aplikimi i operatorit te transmetimit për rritjen e tarifës së transmetimit nga 0.85 lekë/kWh, në 2.20 lekë/kWh.