Kosova
Kurti pranon se ka një dokument…
Kurti pranon: Ka një dokument, por asgjë përfundimtare
Kryeministri Albin Kurti ka pranuar për here të parë që ka ardhur një plan me disa pika nga Berlini e Parisi që ka të bëjë me dialogun Kosovë -Serbi dhe mundësinë e një marrëveshjeje. Megjithatë, ai tha se nuk ka asgjë përfundimtare e aq më pak vendimtare dhe se ky plan po diskutohet jo vetëm në Prishtinë e Beograd por edhe në Uashington, Bruksel dhe Romë.
“Ka një iniciativë franko-gjermane e cila parasheh që ti japet edhe më shumë fuqi të dërguarit të BE për dialogun Serbi-Kosovë, Miroslav Lajçak.
Gjithashtu po diskutohen modele të ndryshme, por nuk ka diçka përfundimtare, që do të mund të thuhej që ky është propozimi franko-gjerman dhe rrjedhimisht diskutojeni – Tha kryeministri i Kosovës
Para një muaji Albin Kurti nuk kishte pranuar të fliste rreth “iniciativës” gjermano-franceze. Sipas tij, para se të publikohet diçka duhet “të jetë e formëzuar”. Atë kohë media në Serbi e Kosovë publikoi një dokument ku paraqitej një kornizë e re që i atribuohej Gjermanisë dhe Francës.
Korniza nuk paraqiste një marrëveshje përfundimtare këtë vit, por brenda 10 viteve – kjo pasi BE-ja “s’ishte gati ta pranonte Serbinë në BE”.
Megjithatë rruga evropiane e Kosovës dhe Serbisë lidhet me dialogun, thuhej në raport. Sipas dokumentit, Kosova do të njihej nga pesë vendet jonjohëse, ndërkaq Serbia do të njihej si “forca kryesore politike dhe rajonale”.
Megjithatë, më 21 shtator Kurti nuk e konfirmoi se ekziston një dokument i tillë. Por të dielën e 9 tetorit, zv/kryeministrja Donika Gërvalla ka pranuar ekzistencën e dokumentit, por jo përmbajtjen e tij.