Connect with us

Kosova

Miratohet buxheti i Kosovës për vitin 2023, në vlerë prej…

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim buxhetin për vitin 2023. Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se ky projektbuxhet ofron më të mirën për ekonominë dhe qytetarët e vendit.

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për buxhetin e vitit 2023, në vlerë prej 3 miliardë e 212 milionë euro.

Kryeministri Albin Kurti të premten në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se ky buxhet vjen pas “vitit më të suksesshëm në histori, për të hyrat”.

Ai ka thënë se nga ky buxhet, rreth 750 milionë euro do të jenë për paga e mëditje, ndërsa 493 milionë për mallra e shpenzime.

“Buxheti për vitin 2023 do të jetë mbi 3 miliardë e 212 milionë euro. Për sa i përket projekteve specifike kemi shtuar 240 pozita të reja për inspektorat. Më shumë inspektorë të tregu, më shumë inspektorë tatimor. Shëndetësia e arsimi vazhdojnë të jenë prioritet i yni. 60 milion euro janë ndarë për barna esenciale. Kemi vazhduar linjën buxhetor për çerdhe. Mbështetja në sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes bëhet më e rëndësishme dhe kemi shtuar 300 vende të reja. Do të vazhdojmë edhe me terminalin në aeroportin e Vermicës. Do te vazhdojmë mbështetjen e ndërmarrjeve publike. 15 milion euro për rezerva shtesë. Do të kemi edhe 75 milion euro të tjera. Fokusi do të jetë në diplomaci publike ekonomike”.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se projektbuxheti ka tri objektiva: Vazhdim të konsolidimit të rimëkëmbjes ekonomike, zbutjen e ndikimit të presioneve të larta inflacionare që vjen nga importi dhe sigurimi i qëndrueshmërisë makrofiskale për rritjen ekonomike.

“Ekonomia e Kosovës ka treguar rezistencë të mjaftueshme sa i përket përballueshmërisë me kriza. Deri në fund të vitit parashikojmë të kemi 3.8 deri në 4.1 për qind rritje ekonomike. Pritet një dinamikë e përshpejtuar e ekzekutimit të investimeve publike për shkak të zbatimit të kontratave në pritje që mundësohen me ligjin për mbështetjen e punëve publike. Eksporti i mallrave pritet të vazhdojë në trendin rritës të deritanishëm. Projeksionet mbi të hyrat për vitin 2023 pritet të arrijnë 2 miliard e 840 milionë euro”, ka thënë Murati.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe draftin e raportit nëntëmujor financiar të Buxhetit 2022.

Është miratuar edhe vendimi për zgjatjen e masave emergjente në furnizim të energjisë për 30 ditë.

“Edhe pse gjatë javës se fundit kemi pasur një përmirësim në tregun e Evropës, si rrjedhojë kemi pasur një ulje të përkohshme të çmimit, por kjo situatë pritet të jetë e përkohshme dhe situata me furnizim pritet të jetë problematike gjatë ditëve në vijim. Prandaj kërkoj ta votoni këtë pikë”, u shpreh ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli para se propozimi i saj të merrte mbështetjen.

Advertisement