Connect with us

Kosova

Mustafa viziton ish krerët e UÇK-së në Hagë

Ish kryeministri Isa Mustafa i ka vizituar ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Jakup Krasniqi në Hagë.

Mustafa në një postim në Facebook shkruan se e gëzoi fakti që i gjeti mirë, derisa uroi që nga ky proces, që u iniciua nga konstruksionet e rrejshme ruse-serbe në Raportin e Dick Martit,  të fitojë drejtësia.

Lexoni të plotë postimin e Mustafës:

Miq të nderuar

Në fillim të kësaj jave vizitova ish krerët e UÇK-së dhe drejtuesit e institucioneve më të larta të Republikës së Kosovës për një kohë të gjatë dhe shumë të rëndësishme të shtetndërtimit, Presidentin Hashim Thaçi, dhe kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, të cilët po mbahen bashkë me luftëtarë tjerë në paraburgim në Hagë.

Më gëzoi fakti që i gjeta mirë, të mbushur me idealizëm; të bindur në pafajësinë e tyre dhe luftën e drejtë të UÇK-së, të gatshëm për të mbrojtur të vërtetën.

Mund të jem pajtuar apo të mos jem pajtuar me njërin apo tjetrin për konceptet partiake e të qeverisjes, por është e pamohueshme trimëria dhe kontributi i tyre në mbrojtjen e popullatës në zonat më të ashpra të luftës dhe zëdhënien për masakrat çnjerëzore nga ushtria dhe shteti i Millosheviçit, ashtu  siç është i pamohueshëm edhe kontributi për paqe në Konferencën e Rambujesë, në transformimin e UÇK-së menjëherë pas lufte, në negociatat e Vjenës për  shtet të pavarur, në shpalljen e pavarësisë  dhe në ndërtimin e institucioneve  demokratike.

Uroj që nga ky proces, që u iniciua nga konstruksionet e rrejshme ruse-serbe në Raportin e Dick Martit,  të fitojë drejtësia!.

Advertisement