Connect with us

Aktualitet

Përmbytjet në Lezhë/ Evakuuohet një familje

Një nga bashkitë e përmbytura në vend si pasojë e reshjeve të shiut është dhe Lezha. Stacioni Metereologjik i FA, Gjadër thotë se gjatë natës dhe gjithë ditës ka pasur shi me intensitet të lartë, ku sasia e reshjeve deri tani është 160 mm,

Në Njësinë Administrative Dajç dhe sipërfaqja e përmbytur është 180 hektarë. Si rezultat ka pasur përmbytje në fshatrat, Gjadër, 40 ha të përmbytur; Zojs, 30 ha të përmbytur; Gramsh, 30 ha të përmbytur; Mabë, 40 ha të përmbytur; Dragush, 10 ha të përmbytur; Koterr, 20 ha te përmbytur; Dajç, 10 ha të përmbytur.

Deri në këto momente në të gjitha fshatrat e Njësisë Administrative Dajç ka ndërtesa dhe stalla bagëtish me prani të ujit. Pas ndërhyrjes nga mjete të bashkisë, gjendja është normalizuar.

Mbrëmjen e djeshme është kryer evakuuimi i një familje në fshatin Mabë.  Në këtë njësi ka problem me rrugën që lidh Gjadrin me fshatin Zojz, pasi ura e fshatit është e pa kalueshme, për shkak të ujit të lumit Gjadër, i cili ka kaluar urën.

Rruga që lidh Fshatin Dajç me fshatin Grashë (Gramsh), në një gjatësi prej 600 ml ka lartësi uji deri në 50 cm, pra aktualisht komunikimi me rrugë automobilistike me fshatrat Gramsh dhe Zojz kryhet nga Bushti-Barbullush dhe Gramsh- Zojz ose anasjelltas.

Kryetarja e njësisë ka kërkuar nga Kryqi i Kuq 17 pako ushqimore, 2 në Mabë, 5 në Gjadër dhe 10 në Zojz. Aktualisht përgjegjësja e Kryqit të Kuq me stafin e vet po zhvillon një takim me Kryetaren e njesisë për t’u njohur nga afër me problematikat, dhe mundësitë e tyre për ndihmë.

Në njësinë Administrative Balldren, ka problem në fushën e Torovicës, megjithëse hidrovori është në punë, por niveli i pompave thithëse është më lartë se niveli i fundit të kanalit, si rezultat i fundosjes se sipërfaqes se tokës, në këtë zonë ka nën ujë rreth 500 hektarë tokë bujqësore, por jo objekte banimi.

Në Fshatin Kakarriq, ka prezencë të ujit në dy shtëpi. Pasi hidrovori i Gocajve ka punuar me ndërprerje, me vënien në punë, situata është përmirësuar. Po kështu dhe në këtë Njësi ka sipërfaqe toke bujqësore të përmbytura në fshatrat Kakarriq, Gocaj e Balldren.

Në njësinë Administrative Blinisht ka sipërfaqe të konsiderueshme të tokave bujqësore të përmbytura, por jo shtëpi banimi. Në këtë njësi ka prezencë të ujit deri në lartësinë 40 cm të rrugës që lidh fshatin Blinisht me superstradën Lezhë-Shkodër, në një gjatësi rreth 700 ml.

Në këtë njësi rruga Blinisht –Baqel ka prezencë uji dhe kalohet me vështirësi, po kështu edhe rruga Piraj Superstradë.

Sipas bashkisë Lezhë, në njësitë e tjera Administrative nuk raportohen problem. Ujëmbledhëset nuk raportohen të ketë problem.

Sipas DRUK, aktualisht lumi Drin ka rënë në kuotën +1.1 m nga +1,6 m që arriti sot, ndërsa kuota kritike + 2 ,0 m, te ura e Lezhës.

Ka kuota të larta në lumin Gjadër tek ura në fshatin Gjadër, ka sipërfaqe të përmbytura në zonën Zadrimë Blinisht Dajç me fshatrat e tyre. Në ish kënetën e Kakarriqit, fusha e Torovicës, po shtohen sipërfaqet e përmbytura nga reshjet pa ndërprerje.

Hidrovoret janë të gjitha në gatishmëri dhe po punojnë, ndërsa në bashkitë e tjera të Qarkut Lezhë nuk raportohen probleme.

Aktualisht, vendi është përfshirë nga reshja të dendura shiu, ku situata më problematike është paraqitur në qarkun e Shkodrës, ku qindra banesa janë nën ujë, ndërsa mësimi është pezulluar në 16 shkolla. Moti i keq ka shkaktuar 2 viktima, ku babë e bir kanë humbur jetën pasi u bllokuan në makinë pas vërshimit të ujit në përroin e fshatit Bogë.

Advertisement