Connect with us

Aktualitet

Vrasje dhe plagosje/ Prokuroria e Sarandës dërgon në gjykatë autorët

Prokuroria e Sarandës ka mbyllur hetimet dhe ka çuar në gjykatë dosjet për dy ngjarje të rënda të ndodhura në prill dhe në qershor të 2022-it në Sarandë. Me akuzën “vrasje me dashje e mbetur në tentativë” parashikuar nga nenet 76 dhe 22 të Kodit Penal, Prokurori Ilir Hoxha ka dorëzuar në Gjykatë dosjen për 37-vjeçarin Enivled Aliaj, aktualisht person në kërkim. Mbrëmjen e 9 prillit të këtij viti, në një lokal në shëtitoren e qytetit, Aliaj tentoi të vriste, duke goditur disa herë me thikë 29 vjeçarin Dino Majko, duke e lënë të plagosur rëndë ndërsa vetë u largua në drejtim të paditur.

1 muaj para ngjarjes Aliaj mësohet se i kishte dëmtuar me thikë gomat e makinës Majkos dhe dy ditë pas kësaj kishte kanosur me thikë brenda ambienteve të Spitalit të Sarandës ish-bashkëshorten e tij.

Për këtë ngjarje ndaj Aliajt ka një masë të dytë sigurimi “Arrest në burg” dhënë nga Gjykata e Apelit Gjirokastër në 5 maj për veprën penale “dhunë në familje” pasi më parë Gjykata e Sarandës e kishte lënë të lirë madje duke e quajtur arrestin të paligjshëm.

Prokurori Ilir Hoxha ka dorëzuar në Gjykatë edhe dosjen për Jorgo Golemaj, 43 vjeç, për veprën penale “vrasje me dashje” parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal. Në 7 qershor të këtij viti, pas një konflikti në shetitoren e qytetit, Golemaj qëlloi me thikë 40 – vjeçarin Kledi Koka, i cili ndërroi jetë pak minuta më vonë në spitalin e qytetit.

Advertisement