Kosova
Avokati i Popullit: S’më lejuan ta takoj Mustafën
Naim Qelaj, Avokat i Popullit, ka folur dhe për proceset gjyqësore që po mbahen në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Ai thotë se është shqetësues fakti se as atij si Avokat i Popullit nuk i është lejuar ta takojë Salih Mustafën.
Ai tha se ka ngritur shqetësimin në lidhje me kushtet që Salih Mustafa, tashme i dënuar më 26 vite burgim për krime lufte, është mbajtur në burg.
“Të zotëri Mustafa ne kemi ngrit një shqetësim, që lidhet me kushtet që është mbajt në burg. Kufizimet që janë vendosur brenda burgut, kemi kërkuar sqarime edhe nga gjykata, Kryetarja e Dhomave të Specializuara edhe nga Avokati i Popullit i Dhomave të Specializuara. Nuk kemi përgjigje. Fakti që atij iu është kufizu për një periudhe shumë të gjatë kontakti me personat tjerë, për neve ka qenë shqetësim”, tha Qelaj për “Betimi për Drejtësi”.
Qelaj tha se kontaktet e Mustafës me familje ishin zhvilluar në rrethanat të papërshtatshme që nuk i përmbushin standardët në të cilat duhet të trajtohet një i burgosur.
“Veç kësaj shqetësim tjetër ka qenë fakti që as mua si Avokat i Popullit nuk ka kanë leju me e taku t’u u thirre të një vendim të gjykatës, i cili nuk është publik dhe për mua ka qenë pak shqetësuese edhe befasuese në të njëjtën kohë, për arsye se vendimet me të cilat preken të drejtat e garantume të njeriut nuk mund të jenë konfidenciale. Përtej asaj që paraqet cenim dhe rrezik për siguri ose të rrethanave kur e dëmton vet të akuzuarin ose persona që janë të involvuar në proces. Përndryshe parimi i publicitetit është një prej parimeve që e dominon në sistemin tonë të drejtësisë dhe për mua ka qenë e palogjikshme edhe pa arsyeshme me ta fsheh një vendim, i cili një personi që e ka të kufizuar lirinë edhe brenda atij kufizimi vendosen kufizime për një afat aq të gjatë”, ka shtuar tutje Qelaj.
Ndër të tjera, ai shtoi se roli dhe mandati që e ka avokati i Dhomave të Specializuara dhe nuk është duke e përmbushur.
“Standardet në të cilat u ndërtua ky mekanizëm nuk i plotësojnë as parimet e përcaktuara në Ligj të Avokatit të Popullit ose në Kushtetutë, po as parimet mbi të cilat funksionojnë Avokati i Popullit. Pra, mendoj që kjo lë boshllëk të dyfishtë të monitorimit të mbikëqyrjes”, tha Qelaj.