Connect with us

Politike

Shqipëria hyn në misionin për Gazën/ Hoxha pret komandantin e forcës ndërkombëtare

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, priti sot në Tiranë Gjeneral Major Jasper Jeffers, komandant i Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit për Gazën, me të cilin diskutoi përfshirjen e Shqipërisë në këtë mision dhe kontributin që vendi pritet të japë në terren.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Hoxha theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së Shqipërisë në ISF, duke e cilësuar atë si një mundësi për ta kthyer angazhimin diplomatik të vendit për paqen dhe sigurinë në një kontribut konkret në terren.

Sipas ministrit, Shqipëria synon të japë kontribut në përpjekjet ndërkombëtare për krijimin e kushteve të sigurisë, stabilitetit dhe një paqeje të qëndrueshme në Lindjen e Mesme. Hoxha nënvizoi gjithashtu se Shqipëria, si anëtare themeluese e Bordit të Paqes, është e vendosur të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.

Në fokus të angazhimit shqiptar në ISF, sipas Hoxhës, janë ruajtja e sigurisë dhe dinjitetit të popullit të Gazës, lehtësimi i ndihmës humanitare dhe mbështetja e procesit të rindërtimit. Në të njëjtën kohë, synohet krijimi i kushteve për një perspektivë politike të qëndrueshme në rajon.

Ministri e cilësoi këtë angazhim si vijim të përvojës së Shqipërisë në misionet ndërkombëtare përmes NATO-s, Kombeve të Bashkuara dhe strukturave të tjera. Sipas tij, edhe një vend me përmasa të vogla mund të japë kontribut të rëndësishëm në përballimin e sfidave ndërkombëtare.

Takimi në Tiranë mes Hoxhës dhe Gjeneral Major Jasper Jeffers vjen në kuadër të angazhimit të Shqipërisë për të kontribuar në përpjekjet ndërkombëtare për sigurinë, ndihmën humanitare dhe stabilitetin në Gaza dhe Lindjen e Mesme.

Advertisement