Connect with us

Kronike

Droga/ ‘Shpirti’ vijon të godasë grupet kriminale

ITALI – Trafikimi i 2.3 ton drogë nga Shqipëria drejt Italisë ka vënë në pranga 14 persona, 5 prej të cilëve shqiptarë. Në kuadër të operacionit antidrogë të koduar ‘Shefi’ që është rrjedhë e zhvillimeve hetimore të operacioneve italo-shqiptare “Shpirti” e “Kulmi”, në Apuglia u goditën 2 grupe që trafikonin lëndë narkotike. Pas hetimeve të nisura në maj të vitit 2016, u bë i mundur sekuestrimi i mbi 2300 kilogramëve drogë, përfshirë marijuanë, kokainë dhe heroinë. Nga operacioni u sekuestrua drogë me vlerë 15 milionë euro. Operacioni i nisur që në mars të vitit 2018, çoi në shkatërrimin e dy organizatave të fuqishme kriminale, që vepronin në Bari dhe provincën e tij, me pika në Shqipëri, në Siçili, Campani, Kalabri dhe Abruzzo. Organizatat importonin sasi të mëdha lëndësh narkotike nga Shqipëria në rrugë detare. Të dy grupet kriminale kishin një interes të përbashkët me organizatat kriminale puliane dhe ishin përgjegjëse për prodhimin, paketimin, klasifikimin dhe transferimin e drogës nga Shqipëria në Apuglia. Hetuesit monitoronin furnizimin me drogë nga Shqipëria që bëhej duke përdorur varka. Zbarkimi bëhej me bashkëpunimin e organizatave puliane dhe më pas kur droga hynte në Itali, shpërndahej përmes korrierëve që punonin me grupet kriminale. Operacioni është rezultat i punës intensive të kryer nga Grupi i Përbashkët Hetimor, një organ bashkëpunimi gjyqësor dhe policor, i krijuar për herë të parë më 10 korrik 2017 në Tiranë. Hetimet u zhvilluan nga Drejtoria Antimafia e Qarkut Bari, Prokuroria e Posaçme (SPAK) dhe Eurojust (Organi me qendër në Hagë që mbështet bashkëpunimin gjyqësor në luftën kundër formave të rënda të krimit ndërkombëtar).

Si nisi hetimi që zbuloi dy organizata
Në dosjen prej 565 faqe të prokurorisë Italiane, të cilën “Shqiptarja.com” e disponon, thuhet se hetimi filloi pas një informacioni të deleguar në vitin 2016, me anë të së cilit kërkohej verifikimi i trafikantëve shqiptarë, të cilët mbaheshin si furnizues të organizatave kriminale që punonin në veri të Barit. Aktiviteti i bërë nga hetuesit e DIA lejonte gjetjen e disa qytetarëve shqiptarë banues në Gravina në Puglia, që merreshin me trafik droge, në kontakt me të tjerë trafikantë.

Advertisement