TIRANË– Qytetarë të Tiranës dhe aktivistë kanë zhvilluar të martën një protestë para ambasadës serbe në Tiranë.
Me thirrjet ‘Kosovë-Shqipëri ne jemi 1’, me flamuj kombëtar dhe parulla në mbështetje të Kosovës, qytetarët janë mbledhur para ambasadës së Serbisë.
Protesta është organizuar nga Këshilli Organizativ i Kuvendit Kombëtar Shqiptar dhe Unioni Shqiptar i Shoqërisë Civile.
Kjo protestë vjen në një kohë që tensionet në Veri të Kosovës janë shtuar, teksa prej më shumë se 2 javësh, serbët kanë ngritur barrikada në këtë zonë duke penguar lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Shoqëria civile në Shqipëri ka dalë këtë të martë (27 dhjetor) në protestë para Ambasadës së Serbisë në Tiranë lidhur me tensionet në veri të Kosovës.
Me thirrjet “Shqipëri-Kosovë”, “Jetën e japim, Mitrovicën nuk e japim”, qytetarët kanë deklaruar se prej 18 ditësh jeta normale e qytetarëve në Kosovë është paralizuar, ndërsa po jetojnë me ethet e luftës, shkruan Rtsh. Po ashtu, qytetarët u kanë bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të trajtojnë me përgjegjësi çështjen Kosovë-Serbi.
“Prej shumë kohësh është paralizuar jeta normale e qytetarëve në veri të Kosovës. Qytetarët po jetojnë nën ethet e luftës. BE dhe SHBA të trajtojnë me përgjegjësi çështjen Serbi-Kosovë. Serbia ka ushtruar gjenocid. Ne jemi këtu të bashkuar, të mos lejojmë që Serbia të bëjë ligjin akoma mbi trojet shqiptare”, kanë deklaruar ata.