Kosova
Amerikanët ‘kthejnë’ njohjen e Kosovës në tavolinë
Plani franko-gjerman, nëse palët pajtohen për të gjatë këtij viti, nuk do të sigurojë njohjen reciproke të Kosovës e Serbisë. Kjo është pranuar edhe nga zyrtarët e qeverisë. Por, një deklaratë e shkurtër gjatë javës e ambasadorit Hovenier se “njohja s’është e mundur aktualisht”, trazoi politikën në Prishtinë. Nisur nga ajo që amerikanët ishin të parët që e kishin vënë kusht marrëveshjen me njohje reciproke, qëndrimi që i ri i Washingtonit, i thënë nga ambasadori, ndezi alarmin. PDK-ja akuzoi qeverinë se si e solli punën deri këtu ku aleatët thonë se nuk është koha për njohje. LDK-ja rikujtonte se si Presidenti amerikan, Joe Biden, në shkurt të vitit 2021 i kishte shkruar letër Presidentit serb, Aleksandër Vuciç, ku i thoshte se marrëveshja me Kosovën duhej të përqëndrohej në njohjen reciproke, kurse tani s’mund të ketë njohje prej papërgjegjësisë së Kurtit.
Më vonë, këshilltari special amerikan Derek Chollet, që së shpejti do të vijë në rajon, tha se plani do ta ketë në thelb njohjen. Me këtë “lëkundjeve” të qëndrimeve amerikane, ‘Lëvizja Vetëvendosje’ iu përgjigj menjëherë opozitës, duke u ngazëllyer nga ajo që e cilësoi “afati i shkurtër i skadencës së deklaratave të kundërshtarëve të Kurtit”
Po nga medium i ‘Vetëvendosjes’, foli edhe kryeministri Albin Kurti, të cilit vonë iu kujtua se plani franko gjerman nuk përmend njohjen e Kosovës nga Serbia, por me një kthesë të shpejtë, ai deklaroi se rezultati s’mund të dihet pa filluar negociatat. Një ditë më vonë, të premten, Kurti tha se beson që SHBA dhe BE mund t’ia nxjerrin njohjen Serbisë duke i bërë më shumë trysni. Ai harroi shpejt se vetëm dy ditë më pare, i kishte thënë ‘Zerit të Amerikës’ se SHBA nuk mund të përfaqësojë Kosovë, pasi kjo e fundit është shtet i pavarur, deklaratë e cila ndezi shumë reaksion në Kosovë.
Një gjë dihet se ‘Mjegulla e dimrit’ ka nisur të bjerë mbi Prishtinë, tani mbetet të shihet nëse Amerikanët po vënë, më keq akoma ‘kthejnë’ mbi tavolinën e bisedimeve, njohjen e Kosovës apo ‘kokën’ e Albin Kurtit.