Connect with us

Aktualitet

Ballafaqimi i dy qëndrimeve të ndryshme në përballjen e një pandemie

Në 2 deri më 4 tetor 2020, një grup studiuesish u mblodhën në qytetin e vogël Great Barrington të shtetit Massachussetts, SHBA, ku është selia e Institutit Amerikan për Kërkimin Ekonomik dhe hartuan një dokument në 540 fjalë, të cilin e quajtën “Deklarata e Great Barrington”. Në këtë grup merrnin pjesë shkencëtarë të njohur dhe me emër në fushat e Shëndetit Publik dhe të Epidemiologjisë nga universitete të famshëm si: Harvard, Oksford dhe Stanford, SHBA.

Nëpërmjet kësaj deklarate, të firmosur më pas dhe nga shumë shkencëtarë të tjerë të njohur nga e gjithë bota, hidhet ideja se politikat e “lockdown” që u ndoqën nga shumica e vendeve të botës të prekur nga COVID19 po japin pasoja të rënda që vijnë nga neglizhenca e problemeve të tjera shëndetësore të popullatës. Gjithashtu, mbajtja e zgjatur e masave restriktive mund të japë pasoja të rënda sociale dhe ekonomike, sidomos për individët më pak të privilegjuar dhe më pak të mbrojtur të shoqërisë. Në deklaratë theksohet fakti se rreziku i vdekjes nga infeksioni COVID-19 është një mijë herë më i lartë te të moshuarit dhe më të dobëtit sesa ndër të rinjtë. Gjithashtu, sipas tyre, është evidentuar se te fëmijët infeksioni COVID-19 është më pak i dëmshëm se shumë infeksione të tjera, përfshirë këtu dhe gripin (influencën).

Deklarata e Barrington mbështet teorinë e imunitetit të tufës, sipas së cilës me rritjen e shkallës së imunizimit të popullatës të shëndetshme dhe në moshë të re nga infeksioni natyral, bie rreziku i prekjes nga infeksioni edhe i pjesës tjetër më vulnerabël dhe të prekshme, siç janë të moshuarit dhe ata me sëmundje shoqëruese. Me rritjen e imunizimit nga infeksioni natyral, popullatat do të arrijnë në pragun e imunitetit të tufës, pas së cilës ritmi i infeksioneve të reja do të ulet dhe do të stabilizohet. Arritja e këtij pragu mund të ndihmohet dhe nga aplikimi i vaksinës, por pa u varur nga ajo.

Qëllimi i studiuesve që kanë firmosur “Deklaratën e Barrington” është minimizimi i mortalitetit nga pandemia, si dhe i pasojave të dëmshme sociale të saj deri sa të arrihet pragu i imunitetit të tufës. Ata mbështesin hipotezën se strategjia më e përshtatshme për arritjen e këtij qëllimi është krijimi i kushteve që ajo pjesë e popullatës, e cila ka një rrezik minimal vdekje nga infeksioni COVID-19, të bëjë një jetë sa më normale dhe të krijojë kështu imunitet nëpërmjet infeksionit natyral. Ndërkohë, ata që kanë një rrezik më të lartë sëmundshmërie dhe vdekshmërie nga COVID-19, duhet të mbrohen në mënyrë të veçantë dhe këtë ata e quajnë “Mbrojtje të Fokusuar”. Ata përmendin gjithashtu dhe një sërë masash që duhen implementuar për të mbrojtur të moshuarit, si dhe individët më vulnerabil, për shkak të sëmundjeve dhe gjendjeve të tjera shoqëruese të tyre.

Bashkëfirmëtarët e “Deklaratës të Great Barrington” rekomandojnë që shkollat dhe universitetet duhet të vazhdojnë të jenë të hapura dhe aktivitetet jashtëshkollore, si p.sh. sportet, duhen ushtruar normalisht. Ata rekomandojnë që restorantet, bizneset e ndryshme si dhe artet, muzika dhe sportet të zhvillohen normalisht. Madje, ata sugjerojnë që edhe personat më të rrezikuar të mund të marrin pjesë në këto aktivitete nëse dëshirojnë, duke përfituar nga mbrojtja prej atyre që e kanë kaluar infeksionin dhe kanë tashmë imunitet ndaj COVID-19.

Në përgjigje të “Deklaratës së Great Barrington”, në 14 tetor 2020 u botua në revistën mjekësore të mirënjohur angleze “Lancet”, “Memorandumi i John Snow”. John Snow ka qenë një mjek anesteziolog dhe higjenist i njohur britanik i shekullit XIX, i cili konsiderohet si themeluesi i epidemiologjisë moderne. Ky memorandum me rreth 930 fjalë dhe i firmosur nga më tepër se 4800 shkencëtarë, kërkues dhe profesionistë të shëndetit nga e gjithë bota, ngre së pari faktin se vdekshmëria e përgjithshme nga COVID-19 është disa herë më e lartë se ajo nga gripi stinor dhe kalimi i COVID-19 mund të shkaktojë sëmundje të zgjatura, madje edhe te të rinjtë që nuk kanë sëmundje shoqëruese.

Gjithashtu, firmëtarët e “Memorandumit të John Snow” vënë në dukje se nuk është akoma e qartë se sa zgjat imuniteti mbrojtës pas kalimit të COVID-19 dhe ngrenë dyshime për mundësinë e riinfektimeve. Edhe këta pohojnë se transmetimi i virusit duhet të pengohet nëpërmjet distancimit fizik, përdorimit të maskave, higjienës respiratore dhe të duarve, duke evituar grumbullimet e njerëzve, si dhe ambientet e ajrosura jo mirë. Gjithashtu, edhe sipas tyre testimi i shpejtë, gjurmimi i kontakteve dhe izolimi i personave të infektuar janë gjithashtu faktorë kritikë për kontrollin e transmetimit të infeksionit. Ata nënvizojnë faktin se mbyllja (lockdown) e aktiviteteve dhe e lëvizjeve njerëzore ishte e domosdoshme për reduktimin e mortalitetit, parandalimin e mbingarkesës së strukturave shëndetësore, si dhe për të fituar kohë për organizimin e pengimit të përhapjes së infeksionit në periudhën pas hapjes.

Efektet e mbylljes, thuhet në këtë Memorandum, kanë qenë të rënda, duke prekur shëndetin mendor dhe fizik, si dhe duke dëmtuar ekonominë. Këto efekte kanë pasur pasoja më të rënda në vendet që nuk qenë të afta të përdornin periudhën gjatë dhe pas mbylljes për të instaluar sisteme efikase të kontrollit të pandemisë. Si pasojë e këtyre mangësive, këto vende kanë pësuar restrikcione të vazhdueshme, të cilat kanë sjellë edhe një demoralizim të gjerë dhe pakësim të besimit. Mbërritja e valës së dytë dhe sfidat e saj kanë ngjallur sipas tyre interesin e qasjes së epidemisë me anë të formimit të imunitetit të tufës, duke mos penguar përhapjen e infeksionit në individët e parrezikuar për komplikacione dhe duke mbrojtur më të rrezikuarit. Por, sipas firmëtarëve të “Memorandumit të John Snow”, kjo qasje është antishkencore dhe e pambështetur në prova shkencore. Transmetimi i pakontrolluar i infeksionit në popullsinë me moshë të re do të rrezikonte një sëmundshmëri dhe vdekshmëri të lartë në të gjithë popullatën.

Prandaj, ata rekomandojnë që për të përballuar këtë valë të dytë, duhet që në mënyrë të vendosur dhe urgjente të merren masa të rëndësishme që pengojnë transmetimin e infeksionit, duke përfshirë dhe kufizime dhe mbyllje të vazhdueshme. Këto masa do të mundësojnë pengimin e përhapjes së infeksionit nga SARS-CoV-2, duke e mbajtur atë në nivele të ulëta me anë të mbylljes së shpejtë të shpërthimeve lokale, nëpërmjet diagnostikimit, testimit, gjurmimit dhe izolimit. Si shembull ata marrin Japoninë, Vietnamin dhe Zelandën e Re, që janë histori suksesi në këto drejtime.

Kur lexohen veç e veç këto dokumente, ato paraqesin që të dyja argumente bindëse. Por, në fakt, të dy këto qasje strategjike të trajtimit të pandemisë kanë problematikat dhe kufizimet e tyre. “Mbrojtja e fokusuar” e “Deklaratës së Great Barrington” ka pikën e dobët se është vështirë në praktikë të përcaktosh se kush është më i prekshëm nga COVID-19 dhe kush nuk është i tillë, dhe aq më tepër të arrish mbrojtjen në mënyrë efikase dhe të diferencuar të atyre më të prekshëm.

Një mangësi tjetër e kësaj deklarate është se ajo nuk merr parasysh problematikën e rëndë të mbingarkesës së spitaleve nga shumë pacientë që mund të paraqiten në të njëjtën kohë. Por dhe “Memorandumi i John Snow” duket se ka problemet e veta.

Ai nuk qartëson se si duhet të jenë programet e gjëra sociale që mund të minimizojnë pasojat e pandemisë dhe as se si mund të përballohen dëmet e rënda ekonomike që vijnë si pasojë e mbylljeve të aktiviteteve dhe që prekin si të parrezikuarit, po ashtu dhe më të dobëtit dhe të rrezikuarit nga COVID-19. Ndarja përjashtuese e këtyre dy qasjeve, që mund të interpretohen edhe sikur u përkasin dy poleve të ndryshme politike, është pa dyshim jo e dobishme. Nuk ka kuptim të bëhesh partizan i një grupi apo tjetër, ndërkohë që është më e arsyeshme një qëndrim bipartizan, i cili merr më të përshtatshmen dhe më të mirën nga secili qëndrim. Nga të dyja kampet pranohet që testimi dhe gjurmimi i kontakteve në mënyrë masive janë mjetet teknologjike që ndajnë qëndrimin modern nga ai i vjetër ndaj pandemive.

Nga ana tjetër, masat parandaluese bazike si ruajtja në maksimum e distancimit fizik, mbajtja e maskave dhe higjiena e duarve duhet të përfshijnë, në fakt, të gjithë popullatën dhe jo vetëm individët më të rrezikuar. Për grupet më të rrezikuara nga pasojat e infeksionit COVID-19 siç janë moshat mbi 65 vjeç dhe ata me sëmundje kronike dhe gjendje të tjera dobësuese duhen programe të veçanta sociale mbrojtjeje të detajuara mirë dhe të implementuara me imtësi. Puna online duhet mbështetur në mënyrë sa më të gjerë, pasi dihet se infektimi në qendrat e punës është një nga burimet kryesore të përhapjes së COVID-19.

Mbyllja e shërbimeve publike si dhe e qendrave të punës apo dhe kufizimet e lëvizjeve nuk do të ishin zgjidhja më e mirë, por në ambientet ku kryhen këto aktivitete duhen respektuar në mënyrë rigoroze masat parandaluese si maskat, distancimi fizik, dhe higjiena e duarve. Gjithashtu, faktet e deritanishme kanë treguar se vendet që kanë një shëndet publik të fuqishëm dhe me laboratorë dhe sisteme survejimi dhe gjurmimi të organizuar mirë, e kanë përballuar më mirë pandeminë nga COVID-19.

Kombinimi i të gjitha masave të mësipërme të shëndetit publik në mënyrë sa më efikase dhe rigoroze do të ulë dëmet e pandemisë nga COVID-19 deri në kohën e aplikimit në masë të vaksinës, që do të ishte zgjidhja përfundimtare e kësaj pandemie.

 

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Aktualitet

Vrasja e të moshuarve në Dropull, shoqërohen 9 banorë në Komisariat, çfarë gjeti policia

9 banorë të fshatit Bodrishtë dhe një bari shtegëtar të imëtash janë shoqëruar nga policia e Gjirokastrës, nën cilësinë e personave që mund të kenë dijeni për krimin ndaj dy të moshuarve Kosta dhe Kleoniqi Ilia bashkëshortë mes tyre.

Deri tani të shoqëruarit janë banorë që jetonin në afërsi të banesës së çiftit, persona me të cilët mund të kenë pasur debate për kufijtë e pronës si dhe bariu që nuk është banor i fshatit, por që mendohet se mund të ketë qenë në rrugën para banesës në momentin e krimit e që dyshohet se ka dijeni për të.

Policia gjithashtu ka gjetur një levë hekuri në pjesë e pasme të banesës objekt që është marrë në konsideratë në cilësinë e provës pasi dyshohet se të moshuarit kanë marrë goditje nga i njëjti objekt, burri në pjesën anësore të kokës dhe gruaja në pjesën e shpinës. Goditjet sipas ekspertëve kanë qenë vdekjeprurrëse sepse janë shkaktuar nga një mjet i fortë.

Hetuesit janë duke pritur analizat e ADN-së për të hedhur më shumë dritë mbi ngjarjen dhe identifikimin e autorit të këtij krimi.

Continue Reading

Aktualitet

SKEMA PIRAMIDALE/ SPAK merr në dorë grupin e mikrokredive, zbulohen 8 emrat e parë që do japin llogari para drejtësisë

Një ditë pasi ZËRI publikoi detaje nga komunikimi mes Bankës së Shqipërisë dhe Prokurorisë së Posaçme, ku BSH-së dhe guvernatorit Gent Sejko i kërkohet llogari dhe informacion se përse lejoi aktivitetin e Microcredit Albania dhe Final, sot hetimi ka avancuar. Në ditët në vijim, SPAK do të regjistrojë një dosje penale, që siç ZËRI e ka njoftuar dhe paralajmëruar shumë kohë më parë, do të jetë çmontimi i një prej skemave piramidale më të mëdha që ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri. Hetimi i dhënies së mikrokredive abuzive me norma interesi stratosferike dhe të përballueshme u kthye në makthin e mijëra qytetarëve që ranë në grackën e një kredie të shpejtë dhe pa shumë dokumenta, por që më pas u përballën me studio ligjore të licensuara nga Banka që iu mori paratë me metoda nga më të ndryshmet.

Pas hetimit të prokurorit Leonard Filopati, dosja i kaloi SPAK, pasi dyshimet e prokurorisë së Tiranës ishin se nuk kemi të bëjmë vetëm me një proces abuziv, por me veprime që i përmbajnë të gjitha elementët e një grupi të strukturuar kriminal, ku të përfshirë janë MCR, Final, Fondi Besa dhe dhjetra përmbaruesë.

Të ndihmuar nga lidhjet në Bankën e Shqipërisë, ata zhvatën qytetarët duke iu marrë paratë e mikrokredive përfshirë interesat, gjobat dhe kamatvonesat.

Aktualisht në dosjen e SPAK rreshtohen emrat e përmbaruesve: 

Lefter Cenaj,

Helidon Xhindi,

Fatos Alimadhi,

Saimir Dogjani,

Astrit Kaptelli,

Rrok Deda

dhe Altin Vako.

Ata deri në këtë kohë kanë punuar për MCR, “Micro Credit Albania”, institucion mikrokredie që deri pak kohë më parë kontrollohej nga Olsi dhe Elda Ibro, burrë e grua, tashmë në arrati dhe administratori Andis Gjoka.

Kompania tjetër, Final Shpk, zotërohet nga çifti tjetër Arben Meskuti dhe Vasil Bakallbashi.

Janë mijëra dosje që janë kryer në mënyrë fiktive duke iu marrë qytetarëve prona e asete për shuma qesharake parash të dhëna me mikrokredi.

Prokuroria e Tiranës i kërkon SPAK të regjistorjë hetimin me akuzat si “Mashtrim me pasoja të rënda”, “Mospagim taksash”, “Pastrim të produkteve të veprës penale”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Shpërdorim detyre”. Në dosje janë gjithashtu të përmendur edhe zyrtarë të Bankës së Shqipërisë, përfshirë edhe Guvernatorin Gent Sejko dhe zv,guvernatorin Deniz Derralla, të cilët dyshohet si kanë hapur derën jeshile kësaj skeme duke i lejuar këto institucione të zhvasin qytetarët, në një treg që mendohet se kap vlerën e gati 500 milionë eurove.

Por çfarë është ky skandal për të cilin flitet pak? 

Prej 6 muajsh, ZËRI denoncon dhe grumbullon dëshmi të viktimave që ranë pre e njoftimeve grackë për të marrë kredi në zyra mikrokredie. Këto zyra përmes njoftimeve online dhe në televizione, krijuan një perceptim të gabuar te qytetarët se ishin njësoj si bankat e tjera. Në fakt, në realitet këto zyra japin kredi shpejt dhe me norma përtej normales. Pa asnjë filtër, Kredo, Iutecredit apo Fondi Besa, iu japin qytetarëve mikrokredi në situata që ata nuk munden dot kurrsesi ti paguajnë. Këtu nisi dhe kalvari i abuzimeve. Kreditë e këqija të mikrokredive përfshirë dhe ato të bankave iu shitën MCR, ku në një rast, vetë gruaja e guvernatorit Gent Sejko, në postin e drejtoreshës së Tirana Bank, shiti 5 mijë kredi me një të rënë të lapsit te dyshja Olsi dhe Elda Ibro, të cilët me licencën e dhuruar nga Guvernatori nisën presionet dhe shantazhet mbi viktimat për të mbledhur paratë. Bashkë me ta, në treg janë dhe qindra zyra ligjore që ushtrojnë presion për mbledhjen e parave duke shkelur haptaz ligjin për njoftimin, kamatvonesat apo kalimin e çështjes në gjykatë. Tashmë çështja është në duart e SPAK dhe kutia e “Pandorës” pritet të hapet. Kush i lejoi, për kë punuan këta agjentë mikrokredie dhe ku abuzuan ata, këto janë disa nga pyetjet që shtrohen sot? SPAK duhet ti japë një përgjigje!/ Marrë nga Zëri.

Continue Reading

Aktualitet

Shqipëria renditet e para në botë me performancën më të mirë në transportin ajror

Shqipëria vazhdon të ketë rritjen më të lartë të numrit të pasgjerëve që udhëtojnë në rrugë ajrore, që prej vitit 2019, viti kur pandemia goditi ndjeshëm këtë industri.

“Airport Council International”, zhvillon një studim përmes të cilit mat rritjen e aeroporteve të vendeve të ndryshme, krahasuar me vitin 2019. Shqipëria kryeson këtë listë prej disa kohësh, ku muaji Mars 2024 kap shifrën rekord me një diferencë prej 233.3% krahasuar me muajin mars 2019. “Airport Council International” është një organizatë botërore për autoritetin e aeroporteve, që ka për qëllim unifikimin e praktikave dhe standardeve për të gjithë aeroportet e botës. Kjo organizatë është themeluar më 1991, me zyra qendrore në Montreal, Kanada dhe anëtarët e saj operojnë në pothuajse 2000 aeroporte.

Vetëm gjatë 4 muajve të parë të vitit 2024, në TIA kanë udhëtuar mbi 2.7 milion pasagjerë, duke çuar në 65% rritje nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Me këto shifra, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës tejkalon edhe atë të Sofies duke u bërë një nga aeroportet më të sukseshëm në Ballkan.

Shqiperia

Tendenca për rritje si dhe shtimi i destinacioneve të reja përgjatë sezonit turistik, kanë rritur optimizmin e drejtuesve të aeroportit, të cilët parashikojnë një shifër që pritet të tejkalojë 9.3 milion pasagjerë, deri në fund të vitit 2024.

 

 

Tashmë ka nisur faza e tretë e zgjerimit, përmes të cilit do të trefishohen sipërfaqet e terminalit. Gjithashtu, po punohet për zgjatjen e pistës dhe janë duke u shtuar edhe vend-qendrime të reja për avionët, për të përmbushur kërkesat e linjave trans-oqeanike. Në muajin qershor të vitit 2023 përfundoi faza e dytë e zgjerimit dhe po punohet me rritme të shpejta për përfundimin e fazës së tretë ku ku do të shtohen rreth 50 000 m2.

Investimet e mëdha që Kastrati Group ka kryer në Aeroportin ‘Nënë Tereza’, kanë sjellë një numër më i madh linjash ajrore, kontrata të reja, të shtohen destinacione, të rriten mundësitë për udhëtime direkte në shumë qytete të botës si edhe të vijnë më shumë vizitorë prej këtyre vendeve. Në 3 vitet e fundit Kastrati Group ka arritur të realizojë rreth 85% të investimeve që ishin parashikuar të kryheshin deri në vitin 2040 dhe mbi të gjitha dhe shumë investime të reja për të përballuar fluksin e lartë të pasagjerëve në TIA.

Continue Reading

Aktualitet

Keni bërë plane për fundjavën? Mësoni fillimisht si parashikohet moti

Fundjava do të sjellë kushte atmosferike të paqëndrushme. Një mot i tillë u duk që në nisje të ditës së premte, ku mëngjesi pati prezencë të reshjeve të shiut në pothuajse të gjithë vendin.

E shtuna dhe e diela, po ashtu do të kenë në pjesën më të madhe të kohësh reshje shiut, ku herë herë do të jenë me intensitet të lartë.

Kjo situatë pritet të vijojë deri ditën e shtunë. Sa i takon motit në ditën e dielë, do të ketë një rritje të temperaturave. Vranësirat do të jenë prezente, ku në intervale të shkurtra kohore në disa pjesë të vendit do të ketë reshje të pakta shiu.

Sa i takon fillimit të javës, situata do të jetë më e qetë. Dita e hënë nuk parashikon të ketë prezencë të shiut, por nuk do të mungojë koha me vranësira.

Ndërkohë e marta do të jetë ajo që në mbrënje do të risjellë rëshjet e shiut, por do të jenë vetëm në zonat qëndrore.  Dita e mërkurë parashikohet të jetë me diell dhe me mot të qëndrueshëm.

Continue Reading

Aktualitet

Dosja”5D”/ Apeli rrëzon kërkesën e 5 zyrtarëve të bashkisë Tiranë, lë në fuqi masën e sigurisë të GJKKO

KOMUNIKIM PËR MEDIAN

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Florjan Kalaja, sot më 05.05.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 18 akti, datë 29.04.2024 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim R.M., M.Q., T.T., J.Z. dhe E.Z., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 28, datë 28.03.2024, verifikuar me vendimin nr. 35, datë 30.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:

Miratimin e vendimit nr. 28, datë 28.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përsa i përket disponimeve kundrejt apeluesve z. J.Z., z. T.T., znj. E.Z., z. M.Q. dhe z. R.M.

 

 

Miratimin e vendimit nr. 35, datë 30.03.2024 të të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përsa i përket disponimeve kundrejt apeluesve z. J.Z., z. T.T., znj. E.Z., z. M.Q. dhe z. R.M.

Kundër këtij vendimi mund të ushtrohet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit të arsyetuar.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING