Thinking ...
Connect with us

Kosova

Britania krah Kosovës, kundër Gjykatës në Hagë: Jemi krenarë…

Mbretëria e Bashkuar ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke rikonfirmuar mbështetjen për Kosovën dhe duke bërë thirrje për qetësi.

Ministri britanik për Evropën, Lord Wood of Anfield, ka deklaruar se Londra respekton pavarësinë e Dhomave të Specializuara dhe procesin e tyre gjyqësor. Sipas tij, Mbretëria e Bashkuar mbetet e angazhuar për drejtësinë, llogaridhënien dhe pajtimin në rajon.

“Mbretëria e Bashkuar mbetet mike dhe partnere e afërt e Kosovës, duke mbështetur fuqishëm sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin e saj territorial, si dhe paqen në Ballkanin Perëndimor”, është shprehur Wood.

Ministri britanik ka rikujtuar gjithashtu rolin e Mbretërisë së Bashkuar në ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 dhe mbështetjen që Londra i ka dhënë pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Sipas Wood, aktgjykimi i Hagës lidhet me përgjegjësinë e individëve dhe nuk duhet të interpretohet si një vlerësim mbi shtetësinë, sovranitetin apo të drejtën e Kosovës për të përcaktuar të ardhmen e saj.

Ai u ka bërë thirrje liderëve politikë dhe figurave publike që të kontribuojnë në ruajtjen e qetësisë dhe që reagimet ndaj vendimit të jenë paqësore.

“Gjetjet e Gjykatës kanë të bëjnë me individë dhe nuk duhet të përdoren për të nxitur tensionet ndërmjet komuniteteve apo në mbarë rajonin”, thuhet në reagimin e tij.

Wood ka deklaruar se Mbretëria e Bashkuar do të vijojë bashkëpunimin me partnerët në rajon për mbështetjen e paqes, drejtësisë dhe një të ardhmeje të sigurt për komunitetet e Ballkanit Perëndimor.

Aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit u shpall më 16 shtator 2026. Dhomat e Specializuara kanë theksuar se vendimi është i shkallës së parë dhe mund të ankimohet.

Advertisement