✦
Thinking ...
Connect with us

Bota

Bomba në Washington/ Demokratët hetim mbi politikën e Presidentit Trump në Ballkan

Politika e administratës Trump në Ballkan po përballet me një tjetër valë pikëpyetjesh në Uashington.

Sipas gazetarit Klevis Hoxhaj, demokratët në Komisionin për Punët e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve po përgatiten për një mbikëqyrje më të fortë të politikës amerikane në rajon, nëse arrijnë shumicën.

Në fokus është një raport i përgatitur nga kongresisti demokrat Bill Keating, i cili ngre shqetësime mbi mënyrën se si administrata amerikane është përfshirë në çështje strategjike në Bosnjë-Hercegovinë.

Një prej pikave më të debatueshme lidhet me një kontratë për ndërtimin e Gazsjellësit të Interkonjeksionit Jugor të Bosnjës, një projekt me vlerë rreth 1.16 miliardë dollarë.

Sipas raportit, zyrtarë të administratës amerikane kanë inkurajuar autoritetet në Bosnjë-Hercegovinë që kontrata t’i jepet një kompanie në pronësi të Joseph Flynn, vëllait të ish-këshilltarit të Donald Trumpit, Mike Flynn.

Demokratët ngrenë pikëpyetje për eksperiencën e kompanisë, pasi sipas raportit, Joseph Flynn dhe Jesse Binnall nuk kishin përvojë të mëparshme në sektorin energjetik apo në rajon.

Kongresisti Bill Keating i ka shkruar Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, duke paralajmëruar se dhënia e kontratës një kompanie pa eksperiencë mund të ulë mundësinë që projekti të realizohet. Ai ka ngritur gjithashtu shqetësimin për lidhjet personale dhe politike mes kompanisë dhe administratës Trump, duke i cilësuar ato si një konflikt të mundshëm interesi.

Por Departamenti amerikan i Shtetit i është përgjigjur se vendimi për koncesionin dhe përzgjedhjen e investitorit amerikan është një çështje sovrane e autoriteteve të Federatës së Bosnjë-Hercegovinës.

Nga ana tjetër, Jesse Binnall ka mohuar se kompania është favorizuar nga administrata amerikane, duke deklaruar se përfshirja e saj në projekt nisi pasi zyrtarët boshnjakë iu drejtuan drejtpërdrejt kompanisë.

Raporti demokrat ngre gjithashtu pikëpyetje për heqjen e sanksioneve ndaj Milorad Dodikut, liderit serb të Bosnjës, duke e bërë politikën e administratës Trump në Ballkan objekt të një mbikëqyrjeje të mundshme më të gjerë nga Kongresi.

Sipas demokratëve, çështja nuk lidhet vetëm me një kontratë energjetike, por me mënyrën se si Uashingtoni po ndërton politikën e tij në Ballkan dhe me mundësinë që interesat politike dhe ekonomike të ndërthuren në vendimmarrjen amerikane.

Raporti pritet të hapë një përballje të re politike në Uashington për qasjen e administratës Trump ndaj Bosnjë-Hercegovinës dhe më gjerë ndaj Ballkanit.

Advertisement