Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Çmimet në qiell por serbatorët e makinave plot/ Shqiptarët blejnë edhe më shumë naftë

Çmimet e larta të karburanteve nuk kanë frenuar konsumin në tregun vendas. Përkundrazi, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, shitjet e hidrokarbureve u rritën me 8,4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se rritja ka ndodhur në një periudhë kur çmimi i gazoilit u luhat në nivele të larta, mes 180 dhe 200 lekë për litër.

Në të njëjtën periudhë, tregtia me pakicë në tërësi u rrit me 6,8%, ndërsa karburantet shënuan një ritëm edhe më të lartë rritjeje.

Gjatë prillit, çmimi tavan i gazoilit arriti rreth 203 deri në 210 lekë për litër, ndërsa në fund të majit zbriti në 187 lekë. Megjithatë, luhatjet e çmimeve nuk sollën ulje të kërkesës.

Karburantet kontribuuan me 2,1 pikë përqindjeje në rritjen e përgjithshme të tregtisë me pakicë. Kontribut më të madh dhanë vetëm artikujt jo-ushqimorë, me 2,7 pikë përqindjeje.

Edhe krahasuar me tremujorin e parë të vitit, shitjet e hidrokarbureve u rritën me 2,1%, pas eliminimit të efekteve sezonale.

Ekspertët e lidhin këtë prirje me faktin se kërkesa për karburant është relativisht më pak elastike ndaj çmimeve. Për shumë familje, por edhe për bizneset, përdorimi i automjeteve është i domosdoshëm për transportin dhe aktivitetin ekonomik.

Në këtë mënyrë, edhe pse kostoja e karburantit mbetet e lartë, shqiptarët vijojnë të blejnë naftë, duke treguar se rritja e çmimit nuk ka mjaftuar për të ndryshuar ndjeshëm sjelljen e konsumatorëve.

Në total, tregtia me pakicë vijoi zgjerimin në tremujorin e dytë të vitit 2026, me rritje në të gjitha grupet kryesore të aktivitetit, ndërsa karburantet mbeten ndër faktorët kryesorë që po mbajnë gjallë konsumin.

Advertisement