Aktualitet
Akuzat për shpërdorim detyre, lirohen 3 zyrtarët e Ministrisë së Financave
Gjykata e Apelit ka liruar nga qelia ish sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj, ish vartësin e tij Flamur Hoxhaj si dhe përmbaruesin Alban Rulin. Togat e zeza kanë pranuar kërkesën e prokurores Arta Marku, e cila kërkoi masën e sigurisë arrest shtëpie.
Ata akuzohen se i shkaktuan 1.2 milion euro buxhetit të shtetit duke ia kaluar këto para në kundërshtim me ligjin shtetasit Ilir Thana për një pronë që në të vërtetë nuk ishte e tij. Nga hetimet e prokurorisë së Tiranës ka rezultuar se, përmbaruesi Alban Ruli ka bërë rivlerësim të dëmshpërblimit për një pronë në emër të Thanës edhe pse ky i fundit nuk rezultonte zotërues i një magazine me sipërfaqe 187 metra katror pasi ajo iu kthye ish-pronarit në vitin 1995.
Ka qenë denoncimi i një banke të nivelit të dytë që ka vënë në lëvizje prokurorinë pasi Thana rezultonte debitor dhe për këtë shumat e parave nga Ministria e Financave kalonin në llogari të motrës së tij.