Lifestyle
Del botimi i ri i autorit ” Fatos Kongoli”/ Stinë pandemie e cila përshkruan shndërrimin e Tiranës dhe përjetimet emocionuese të dikurshme
Titulli: Stinë pandemie
Origjinali: Stinë pandemie
Gjinia: Roman
Autori: Fatos Kongoli
Shtëpia botuese: Toena
Viti: 2020
Mbi librin
Romani shtrihet në kohë dhe e njeh lexuesin me shndërrimin e Tiranës. Kryeqyteti i dikurshëm fle në kujtimet e Fatos Kongolit, që nuk gjenë asnjë grimë të përjetimeve të atëhershme.
Përshkrimet për Astirin përkojnë edhe me ato të mëngjesit të 17 majit, ditë kur u shemb Teatri Kombëtar. Shkrimtari thotë se ajo që ndodhi me teatrin ishte një veprim kriminal se dhe me të u shkatërruan qindra kujtime.
“Stinë pandemie”, një libër i shkruar herë me humor, herë me dhimbje e herë me ironi të hollë, risjell edhe historinë e një dashurie të pafinalizuar, që duket sikur i mban peng personazhet. Për ata, që kërkojnë të arratisen në lexime të mira, romani është zgjedhja e duhur. Një skaner i realitetit të sotëm shqiptar, ku autori nuk mungon të fishkullojë gjithçka të shëmtuar.
Pjesë nga libri
“Zëdhënësi i policisë i përligji veprimet e kryera, duke përmendur se përdorimi i gazit lotsjellës- kështu tha ai dhe jo i lëndëve helmuese luftarake – ishte një praktikë e njohur edhe në vendet më të zhvilluara të BE-së, thënë ndryshe Bashkimi Europian. Tek dëgjoja zëdhënësin, vrava mendjen të gjeja se kujt i drejtohej ai; përfaqësuesve të nderuar të BE-së apo opinionit tonë publik. Nëse u drejtohej të parëve, mirë, ia vlente, për të marrë prej tyre një certifikatë mirësjelljeje. Sa për të dytin, domethënë opinionin publik në vend, e harxhonte frymën kot. Askujt nuk i bëhej vonë, aq më pak i shkonte mendja të protestonte, për çka paskej ndodhur me ca banorë në një humbëtirë.”