Connect with us

Politike

Rrëzohet Berisha, nuk regjistrohet me siglën e PD në zgjedhje

Sali Berisha përfundimisht nuk do të garojë në zgjedhjet e 14 majit me siglën e Partisë Demokratike. Kërkesa e tij është rrëzuar nga Komisioneri i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi, i cili tha se ai njeh si kryetar të Partisë Demokratike atë që është në Gjykatën e Tiranës. Celibashi tha se është Lulzim Basha që ka të drejtë të paraqesë kërkesën për regjistrimin e Partisë Demokratike por sipas tij dokumentacioni është i paplotë. Autorizimi që Basha i ka bërë 3 personave më datë 18 mars 2022 është i paqartë sipas Ilirjan Celibashit dhe duhej vendosur data e zgjedhjeve dhe jo vetëm ‘për zgjedhjet e vitit 2023’. Një tjetër dokument që është i pasaktë është deklaratë që kërkon Kodi nga një kryetar partie me angazhimin.

Celibashi vendosi se Sali Berisha nuk regjistrohet në zgjedhjet e 14 majiot me siglën e Partisë Demokratike por as grupin tjetër nuk e regjistroi dhe i la kohë Lulzim Bashës 48 orë kohë për të plotësuar dokumentacionin.

Më parë, përfaqësuesit e grupit të Alibeajt dhe Berishës dhanë argumentet e tyre pse duhet të regjistrohen në zgjedhje. Përfaqësuesi i Rithemelimit, Ledio Nuraj tha se nuk kanë në dispozicion vendimin e Apelit pasi nuk është i formës së prerë por kanë vetëm atë të Agron Zhukrit më 25 mars që i la vulën PD së Berishës. Në komentin për vendimin e Apelit thotë se askush nuk e disponon deri tani vendimin e plotë.

“Kemi vendim të ndërmjetëm jo të formës së prerë që ezauron plotësisht në lidhje me regjistrimet në regjistrin e partive politike”, tha Nuraj.

Ndërsa përfaqësuesi i PD së Albeajt, Indrit Sefa e cilësoi të papranueshme kërkesën për regjistrim të Rithemelimit nën argumentin se flasin argumentet e gjykatave.

Ndërkohë në rendin e ditës së sotme ishte kërkesa e regjistrimit për 7 parti dhe që në nisje të mbledhjes së KQZ u miratuan kërkesat e PS dhe Partisë së Lirisë. Ndërsa një ditë më parë u miratua për 42 të tjera.

Pas këtij regjistrimi paraprak, në 15 mars aplikohet për koalicionet dhe më pas, më 27 mars depozitohet lista e kandidatëve për kryetar bashkie dhe lista shumë-emërore e kandidatëve për këshillat bashkiak sipas përkatësisë së koalicionit apo partisë. Më pas hidhet shorti për renditjen në fletët e votimit. Në prill pritet dhe shpërndarja e fondeve vjetore, por edhe për fushatë.

Më 14 prill nis zyrtarisht fushata. 13 maji është heshtje zgjedhore dhe 14 maji dita e votimit.

Advertisement