Politike
Berisha: Qeveria vjedh 90% të investimeve në punët publike
Ish-kryeministri Sali Berisha gjatë prezantimit të kandidatit të tij për zgjedhjet e 14 majit në bashkinë e Mirditës ka deklaruar se qeveria përmes investimeve në vend vjedh deri në 90% të fondeve për këto punime.
Berisha deklaroi se qeveria ndërton rrugë në zona fushore me 24 milionë euro për kilometër, ndërsa zbuloi se sheshet e 61 bashkive të qytetit kanë kushtuar në total 2.2 miliardë euro.
Ai shtoi më tej se një tjetër abuzim i qeverisjes është ngritja e bordeve në kohën e krizës, të cilët sipas tij ishin vetëm për të rritur çmimet dhe për të mbushur arkën e shtetit, duke përfituar në këtë mënyrë 520 milionë euro, të cilat sipas tij nuk u janë kthyer qytetarëve por u janë dhënë klientelës së Ramës.
“Në 2013-ën nuk ishim të mëkëmbur, por varfërimi ishte në zvogëlim, kurse sot ku jemi, sot kemi rrogat më të ulëta në Ballkan. Sot Kosova ka rroga 50% më të larta se ne. Sot të gjitha vendet e Ballkanit paguhen më shumë se ne, por pse kjo. Vetëm se Edi Rama urren qytetarët, qeveria e tij i urren qytetarët. I transformon vjedhja, i bën të mos ndjejnë asgjë për askënd, përveç xhepave të tyre.
Këta janë qeveritarë që urrejnë qytetarët se u duken qenie inferiore. Atij nuk i bën përshtypje pse ikin shqiptarët, i mjafton të pasurohet. Këto zgjedhje janë për fatin e Shqipërisë dhe fatin tonë. Thirrja është të bashkohemi, sepse sot jemi më të vjedhurit në Evropë. Më falni, pse u rritën rrogat në vitet 2005-2013, sepse e kisha qëllim kryesor përmirësimin e jetës së qytetarit. Për rrethanat kemi investuar miliarda për infrastrukturën, sepse rrugët ishin pa asfalt të gjitha, ujësjellës kanalizime nuk kishte. Asfaltuam rrugët në fshatra, rindërtuam shkollat. Nëse ai kryeministër do ndjente dashuri apo respekt ndaj qytetarëve do e kishin minimumi 3 herë më të lartë se në vitin 2013. Sa e rriti borxhin zotëria, e ka çuar në 107%, vetëm me borxhet që ka marrë, rrogat mund të trefishoheshin pa vështirësi.
Vidhet në mënyrën më të paimagjinueshme. Specialistët e pavarur kanë shkruar se kjo qeveri në punët publike vjedh gjer në 90% të investimit, kjo qeveri ndërton rrugën në fushë me 24 milionë euro, në një kohë kur në Gjermani e Francë, rruga në fushë ndërtohet me maksimumi deri në 3 milionë euro. Ka manuale ndërtimi, janë për çdo artikull.
E dini sa kanë kushtuar sheshet e 61 qyteteve, 2.2 miliardë euro, pllakat e gurit, të gjitha janë mundi dhe djersa juaj.
Shqipërinë e quajnë Norvegjia e Ballkanit për ujërat që ka. Çfarë ndodh me energjinë, kamxhik për shqiptarët. Tani, vjet, parvjet, falë HEC-eve të reja që prodhojnë 58% të prodhimit të përgjithshëm kemi 9 miliardë kilovat/orë, 2 miliardë shtesë duhet të ktheheshin në fonde për ju, por vidhen në mënyrën më kriminale. Në verë i zbrazin digat dhe ia shesin të tjerëve, kanë krijuar ndërmarrje ata që blejnë energjinë dhe e shesin te njerëzit e tyre. E shesin në bursë dhe ndajnë paratë me qeveritarët. Nga ana tjetër bërtasin kriza, kriza. Çfarë krize, lufta e Rusisë ka sjellë drama, por klimën nuk e ka ndryshuar, ka pasur reshje, kurse Rama e përdori atë për të pasuruar klikën e tij. Kjo është e vërteta.
Krijoi bordet, çfarë kishim ne me luftën në Ukrainë për prodhimin e bulmeteve, etj. Bordet janë për të rritur çmimet dhe për të mbushur arkën e shtetit. Për çdo gotë uji që pimë paguajmë TVSH-në që është 20% e vlerës që rritet kur rritet çmimi. 520 milionë euro u mblodhën. Qeveritë që mendojnë për ta ua kthyen qytetarëve. Albin Kurti u dha studentëve e pensionistëve nga 100 euro sepse atyre ua mori. Ky ia dha klientelës së vetë, 300 e ca milionë. Të gjitha këto kanë të bëjnë me ekzistencën tonë.
Për të mbrojtur regjimin e tij monist Rama rekrutoi Charles McGonigal, jo vetëm atë por kanë qenë ekip. Gjyqi do i nxjerrë të gjitha. Për të përforcuar pushtetin e tij ai ka korruptuar zyrtarë të tjerë. E gjitha në kurriz të demokracisë. Javët e fundit, u bënë përpjekjet më primitive e më të turpshme që PD të përjashtohej nga zgjedhjet. U shty procesi gjer në 3 ditë para afatit të fundit dhe me urdhër u rrëmbye sigla e PD-së, duke besuar se në këtë mënyrë do binim në kurthin e tyre dhe s’do merrnim pjesë në zgjedhje”, u shpreh Berisha.