Bota
Emigrantët në Angli, Braverman: Do i fusim në maune e tragete për të kursyer
Ministrja e Brendshme e Britanisë së Madhe, Suella Braverman, synon të ulë faturën e strehimit të azilkërkuesve në hotele, duke i strehuar emigrantët në anije dhe tragete. Sipas The guardian vendet që Ministria e Mbrojtjes po shqyrton për t’i përdorur për të strehuar azilkërkuesit janë ambjente të papërshtatshëm për të jetuar.
Ministri i Emigracionit Robert Jenrick deklaroi se njerëzit që mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar përmes rrugëve të paligjshme do të vendosen në vende të ndryshme përfshirë vende si ish-baza ajrore RAF Ëethersfield në Essex dhe baza RAF Scampton në Lincolnshire.
Nga ana tjetër një raport nga Ministria britanike e Mbrojtjes thotë se ish-baza ajrore RAF, zona e ruajtjes së municioneve të luftës së ftohtë “ka të ngjarë të ketë një rrezik të lartë të municioneve të pashpërthyera”. Po ashtu një letër drejtuar Organizatës së Infrastrukturës së Mbrojtjes për bazën ajrore Wethersfield, rezulton zonë me “rrezik të lartë të kontaminimit të tokës, asbest dhe municione”.
Banorët dhe Sekretari i Jashtëm James Cleverly në një kërkesë për lirinë e informacionit zbuluan se, pavarësisht se ministritë ishin në dijeni të këtij kontaminimi të mundshëm, nuk ishin ndërmarrë hapa të mëtejshëm për ta hetuar apo korrigjuar atë.
Rreth 51,000 emigrantë besohet se do të qëndrojnë në 395 hotele me një kosto prej më shumë se 6 milionë paund në ditë.
Çështja e emigrantëve në Britaninë e Madhe është kthyer në problem muajt e fundit. Kryeministri i Britanisë, Rishi Sunak dhe Suella Braverman kanë paralajmëruar se do të fusin në fuqi projektligjin e ri që synon të lërë jashtë shqyrtimit të gjitha format e kërkesave për azil që janë bërë nga ata emigrantë që futen në vend përmes gomoneve.
Në vitin 2022, më shumë se 45,000 njerëz mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar me anije të vogla krahasuar me 28,000 një vit më parë. Mes tyre janë raportuar se kanë qenë 10 mijë shqiptarë. Kryeministri Edi Rama vizitoi së fundmi Londrën ku u takua dhe me Sunak. Sipas një marrëveshjeje të nënshkruar mes ministrave të dy vendeve, shqiptarët e dënuar dhe që ndodhen në Britaninë e Madhe do të kthehen në Shqipëria për ta vuajtur këtu dënimin. Rama bëri thirrje për respektin e komunitetit shqiptar, pasi këta të fundit kanë qenë kryefjala e mediave britanike muajt e fundit dhe sekretarja e Brendshme Suella Braverman është treguar mjaft e ashpër me ta. Referuar numrit të burrave shqiptarë që kanë ‘zbarkuar’ në brigjet britanike, rreth 10 mijë, Sekretarja e Brendshme britanike është shprehur se vendi po pushtohet prej tyre. Këto fjalë nxitën një retorike të ashpër dhe përgjigjia e kryeministrit Edi Rama nuk mungoi.
Gjuha e Braverman është krahasuar me atë të nazistëve. Një e mbijetuar e Holokaustit rrëfeu për Sky News se gjuha e përdorur nga Sekretarja e Brendshme Suella Braverman për të përshkruar emigrantët është shumë e ngjashme me atë që u përdor në Gjermaninë naziste kundër popullit hebre. Joan Salter, 83 vjeçe, tha se kur dëgjonte termat ‘tufë’ dhe ‘pushtim’, i kujtohej gjuha e përdorur për të justifikuar vrasjen e familjes së saj dhe miliona të tjerëve.