Politike
‘Pengje të keqpërdorura’, Alibeaj i përgjigjet Berishës: Mendësi komuniste
Kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj i është përgjigjur deklaratave të ish-kryeministrit Sali Berisha. Ky i fundit deklaroi nga Shkodra se “Basha dhe Alibeaj janë pengjet më të keqpërdorura dhe vota për ta është votë për Ramën”. Berisha ndodhej në Shkodër për të përkujtuar 4 heronjtë e 2 prillit.
Alibeaj përmes një postimi në Facebook shkruan se vetëm një mendësi komunsite mund të përdhosë kujtimin e heronjve të 2 prillit duke sulmuar të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga ai (duke iu referuar Berishës).
Ai thekson më tej se vlerësimi dhe nderimi për jetën dhe veprën e heronjve të 2 prillit do të mbetet në themelet e vlerave mbi të cilat PD u ngrit.
Deklarata e plotë e Alibeajt:
Përkujtimi dhe respekti ndaj atyre që jetën dhanë në 2 prill, bëhet me nderim e në heshtje. Me reflektim të ndjerë e të thellë për çka dhe përse amaneti i antikomunizmit, lirisë dhe demokracisë ende nuk është çuar në vend! E vend për faj e përgjegjësi ka për çdokënd që pati mundësinë për të kontribuar në këtë drejtim. Nëse nuk ka dashur a mundur sot duhet veçse të heshtë!
Veçse një mendësi komuniste mund ta përdhosi kujtimin e heronjve të 2 prillit, duke sulmuar të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga ai.
Ata që dhanë jetën në 2 prill në emër të lirisë dhe demokracisë së munguar për dekada meritojnë respektin dhe nderimin më të lartë sot. Në ditën kur ende zgjatimet e komunizmit përpiqen të mbajnë peng të ardhmen e shqiptarëve për interesat e tyre personale.
Në nderim të jetës së dhënë nga heronjtë e demokracisë, Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Bujar Bishanaku dhe Besnik Çeka, të gjithë duhet të perulemi me respekt dhe të vlerësojmë më gjakftohtësi dhe seriozitet rrugëtimin politik të PD në këto 30 vjet. Në emër të vlerave të së cilës ata u vranë pabesisht nga regjimi komunist.
Vlerësimi dhe nderimi për jetën dhe veprën e heronjve të 2 prillit do të mbetet në themelet e vlerave mbi të cilat PD u ngrit. Ndaj sot reflektimi për këto vlera duhet të na bëjë më të përgjegjshëm për të çuar në vend jo vetëm dëshirën por dhe idealin e të gjithë atyre që dhanë jetën që sot të jemi të lirë në një vend demokratik. Për të respektuar çdo mendim dhe alternativë dhe jo për t’iu dorëzuar kultit të individit që na mbajti peng për gati 50 vjet!