Kosova
Hartimi i Kushtetutës së Kosovës/ Kuçi: Të respektohen vendimet…
Ish-kryetar i Komisionit për Hartimin e Kushtetutës së Kosovës, Hajredin Kuçi, në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se Kushtetuta sa i përket lirive dhe të drejtave të njeriut është ndër më të mirat.
Sipas tij, në të kaluarën aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese janë respektuar dhe sipas tij, kjo traditë duhet që të vazhdojë ende që të mos prishte piramida e drejtësisë.
Kuçi tha se hartimi i Kushtetutës së Kosovës është njëra prej punëve më të mira që është bërë në shtet-ndërtimin.
“Mendoj se është një prej punëve më të mira që është bërë në shtet ndërtimin e Kosovës, por edhe në krijimin e bazës të asaj që ka qenë synim i qytetarëve, i paraparë me deklaratën e pavarësisë. Ajo e ka mundësuar që shteti të sendërtohet, por edhe institucionet, po edhe baza legale të ndërtohet në Kosovë. Natyrisht jeta është evolutive se norma dhe kjo mund t’i përshtatet apo të amendamentet”.
“Por qëllimi duhet të jetë që të shikojmë cilat janë mundësit që ofron Kushtetuta dhe si t’i zbatojmë ato në jetë. Ndërsa amendamenti duhet të jetë i kujdesshëm por në veçanti jo në ato pjesë që do ta quajmë që është ADN-ja e Kushtetutës apo parimet bazë të një Kushtetute moderne dhe demokratike të bazuara në rend dhe ligj. Unë jam i bindur që këto procese duhet të jenë të kujdesshme me konsensus shoqëror dhe me një debat të shterur publikë”, tha ai për EO.
Sipas tij ndryshime në Kushtetuese mund të ndodhin për shërbime më të mira për qytetarët.
“Unë mendoj se sa i përket lirive dhe të drejtave të njeriut Kushtetuta është solide, ndoshta ndër më të mirat do të thoja. Në anën tjetër sa i përket ndarjes së pushteteve ajo çka mund të jetë janë të drejtat që lindin nga gjenerata e tret, që mund të jenë për shërbime më të mira për qytetarët. Ato që i lidh me mbrojtje të ambientit apo edhe për qasje të tjera që gjithmonë e bëjnë jetën më funksionale dhe qytetarët i bëjnë po e them më mirë të ndihen, por edhe më funksional në shtetin ku jetojnë”, tha ai.
Kuçi tha se në të kaluarën aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese janë respektuar edhe në rastet kur ai aktgjykim ka prishur edhe balance politike apo pozita personale.
Prandaj sipas tij, edhe Qeveria aktuale duhet që të vazhojë traditën në mënyrë që të mosprishte piramida e drejtësisë.
“Mendoj që Kushtetuta dhe ambienti jonë ka qenë i ndërtuar në bazë të tillë që të kuptohet që është akti më i lartë juridik. Në të kaluarën është treguar që çdo aktgjykim është respektuar dhe kur ai aktgjykim ka prishur balance politike ose ka prishur edhe pozita personale më herët. Mendoj që kjo traditë e mirë duhet që të vazhdohet dhe hirarkija në këtë rast, edhe sa i përket aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese duhet të jetë e vazhdueshme dhe të mos prishte piramida e drejtësisë”, përfundoi Kuçi për EO.
4 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor 2008. Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.
Pjesa më e madhe e kësaj kushtetute rrjedh nga Plani i ish-presidentit Martti Ahtisaari, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Kushtetuta e definon Kosovën si një shtet me pikëpamje neutrale ndaj fesë – neni 8. Ajo ka 14 kapituj dhe 162 nene.