Connect with us

Politike

RAMA: KEMI MUNGUAR TE HALLI I QYTETARIT

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qeveria duhet të përballet me problematikat e saj dhe të jetë më pranë qytetarëve, duke pranuar se pavarësisht takimeve të shumta në të gjithë vendin, ka pasur një mungesë në ndjekjen e halleve konkrete të njerëzve.

Gjatë mbledhjes me Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste dhe qeverinë, Rama foli për platformën “Pasqyrë Albania”, të cilën e cilësoi si një mekanizëm që duhet të tregojë Qeverinë “siç është”, pa fshehur problematikat.

Sipas tij, një Qeveri që përballet me një pasqyrë ku nuk duket mirë duhet të punojë për të ndryshuar veten dhe jo për të ndryshuar pasqyrën.

“Një qeveri që nuk i duket bukur qytetarit në pasqyrë, duhet të përballet me testin e aftësisë së vet dhe me sfidën që të përmirësojë pamjen e vet dhe jo pasqyrën”, tha Rama.

Kryeministri shkoi më tej duke deklaruar se, nëse qeveria nuk është në gjendje të përmirësohet, atëherë duhet të largohet.

“Nëse pasqyra përdoret kundër qeverisë, funksionon. Qeveria nuk duhet të zihet me pasqyrën, por duhet të merret me veten. Nëse nuk është në gjendje të merret me veten, duhet të hapë krahun”, u shpreh ai.

Rama: Kemi munguar te pika e hallit të njeriut

Një pjesë e rëndësishme e fjalës së Ramës ishte edhe kritika ndaj mënyrës së komunikimit të deritanishëm me qytetarët.

Ai tha se Partia Socialiste ka zhvilluar një numër të madh takimesh në të gjithë territorin, por problemi ka qenë se këto takime nuk janë shoqëruar gjithmonë me dëgjimin dhe ndjekjen e halleve konkrete të qytetarëve.

“Problemi ynë s’ka qenë që ne nuk kemi ditur të bëjmë takime… Ne kemi munguar në pikën e hallit të njeriut, kemi qenë në çdo pikë të hartës”, deklaroi Rama.

Sipas tij, distanca mes qeverisë dhe qytetarit nuk matet me kilometrat që bëjnë zyrtarët për të shkuar në terren, por me aftësinë e tyre për të dëgjuar.

“Distanca nga qytetari nuk matet me km që bën për të shkuar atje, por matet me sa të hapur janë veshët e tu kur qytetari flet”, tha kryeministri.

“Transparenca pa përgjegjësi është kronikë”

Rama e lidhi funksionimin e “Pasqyrë Albania” edhe me përgjegjësinë institucionale.

Sipas tij, transparenca në vetvete nuk është e mjaftueshme nëse nuk shoqërohet me përgjegjësi për atë që institucionet bëjnë ose nuk bëjnë.

“Transparenca nuk mjafton, transparenca kërkon përgjegjësinë, dhe pa përgjegjësinë transparenca është kronikë”, tha Rama.

Ai e lidhi këtë qasje edhe me konceptin “Besa”, të cilin e përkufizoi si një akronim që nënkupton besim, empati, shërbim dhe angazhim.

Ndërsa për “Praninë Besnike”, Rama tha se ajo nuk duhet të shihet si një kalendar elektoral apo partiak, por si pjesë e një sistemi që e kthen dëgjimin e qytetarit në detyrim për të dhënë përgjigje.

“Pasqyrë Albania” dhe investimet në Sazan

Në të njëjtën mbledhje, Rama njoftoi se brenda disa javësh pritet të prezantohet një komponent i veçantë i platformës, i quajtur “Flamingo Mirror”, ku sipas tij do të bëhen publike dokumentet dhe të dhënat që lidhen me investimet në zonën e Sazanit dhe Zvërnecit.

Kryeministri tha se në këtë hapësirë do të publikohen dokumente, procesverbale, statusi i negociatave dhe referencat ligjore që lidhen me çështjet e trajtuara.

Ai theksoi gjithashtu se “Pasqyrë Albania” nuk do të përdorë të dhënat personale të qytetarëve pa miratimin e tyre.

Rama: Platforma e bashkëqeverisjes nuk ka dështuar

Kryeministri hodhi poshtë gjithashtu interpretimet se “Pasqyrë Albania” është krijuar për të zëvendësuar apo mbuluar dështimin e platformës së bashkëqeverisjes.

Sipas tij, platforma ekzistuese do të bëhet pjesë e sistemit të ri, ndërsa edhe e-Albania do të jetë pjesë përbërëse e “Pasqyrës”.

Rama tha se të dhënat personale dhe komunikimi individual i qytetarëve do të vijojnë të trajtohen në mënyrë konfidenciale përmes e-Albania, ndërsa “Pasqyrë Albania” synon të ofrojë transparencë mbi problematikat dhe shërbimet në nivel publik.

Sipas tij, platforma do të informojë qytetarët në kohë reale për ecurinë e shërbimeve, kohën e pritjes dhe ndryshimet në legjislacion apo rregullore.

Kryeministri deklaroi gjithashtu se qytetarët dhe bizneset e vogla do të mund të marrin njoftime përmes WhatsApp-it, në funksion të komunikimit më të drejtpërdrejtë me institucionet.

Nga kjo e premte (4 shtator) në orën 17:00, qeveria dhe grupi i PS do të nisin me takimet e Pranisë Besnike. Këto takime, tha Rama në mbledhjen e grupit dhe ministrave, do të jenë konsistente dhe jo në kuadër të propagandës.

Në të nuk do të ketë kamera dhe të gjithë do të duhet të dëgjojnë qytetarët e të mbajnë shënim problemet e tyre, si dhe t’i ndjekin në rrugë institucionale duke shmangur çdo informalizëm.

“Prania Besnike vendos rregull të thjeshtë, qytetari duhet ta dijë ku dhe kur mund ta gjejë përfaqësuesin e vet, me një kalendar të publikuar më parë. Dhe e premtja e kësaj jave në orën 17:00 është fillimi i një procesi të Pranisë në të gjithë territorin e republikës, s’do të ndalet asnjë të premte. Çdo të premte në orën 17:00 të gjithë ne që jemi këtu do jemi aty ku e kërkon Prania Besnike. Prania Besnike nuk është mbledhje. Prania Besnike është dëgjim me radhë, ballë për ballë, tek për tek, me zë të ulët. Kush do të qajë hallin e tij, vjen në atë orë, në atë vend dhe pret momentin kur do të ulet në tryezë përballë përfaqësuesve të tij dhe do të marrë shënim çfarë robi i Zotit po flet, me respekt dhe Prania Besnike nuk pranon kamera. Prania Besnike pranon fotografi në fillim të takimit vetëm me miratimin e atyre që janë të pranishëm dhe pa ekspozuar fytyrat e tyre. Prania Bensike refuzon përkatësinë partiake. Nëse ti do veshët tanë veshët tanë janë aty në orën 17:00, ditën e premte. Prania Besnike nuk pranon numër telefoni dhe dhënien e shpresës se dikush do të ndihmojë jashtë rregullave. Prania Besnike kërkon që deputetët të mos marrin më në telefon asnjë drejtor, por me shkrim të dërgojnë hallin e qytetarit në destinacion institucional. Duhet të disiplinojë institucionet, jo të kthejë deputetët në sekserë të halleve të njerëzve, por me shkrim të dërgojnë hallin e qytetarit në institucion. Nuk shkohet për të thënë sa bukur po punon qeveria po ku po dështon ajo. Nuk shkohet për të treguar sa janë rritur të ardhura, apo për të marrë vota, as për të punësuar njerëz, as për të rekrutuar patronizhistët e ardhshëm, por për të marrë hallin dhe referuar te institucionet. Dhe merret përsipër të ndiqet rruga e hallit. Në Praninë Besnike shkohet për të parë se ku qeveria po dështon të dëgjojë dhe të kuptojë. Te Prania Besnike shkohet për të marrë hallin dhe referuar te institucionet. Ndërkohë merret përsipër të ndiqet edhe në emër të qytetarit, rruga e hallit. Këtu ka një vijë të panegociueshme nëse duam që të ketë sukses, nëse duam që Besa të mos mbetet fjala e madhe e grabitur nga përmbajtja, nëse duam që Pasqyra të funksionojë jo si shfaqja e fundit e PS në hapësirën publike, por të gjitha këto t’i japin një fuqi të re shumicës sonë. Prania Besnike nuk bën pushtetin, nuk ndërmjetëson favor. Suksesi i Pranisë Besnike do të jetë kur qytetarët të kenë nevojë gjithnjë e më pak për të sepse sistemi do të përgjigjet vetë dhe politika do të jetë antenë dhe jo kanal paralel. Prania Besnike duhet të ketë sekretariatet e saj lidhur me temat kryesore”, tha Rama.

Advertisement