Connect with us

Shkrime

CELULARI NUK ËSHTË ÇEK I BARDHË/ Beqja: Gjykata Kushtetuese mbyll derën e gjuetisë

Nga Ilir Beqja

Smartphone-i nuk është më thjesht një objekt që mund të sekuestrohet nga organet e drejtësisë. Brenda tij ndodhet një pjesë e madhe e jetës së një personi: komunikimet, fotografitë, dokumentet, të dhënat financiare e profesionale, vendndodhjet, kërkimet në internet dhe kontaktet me dhjetëra apo qindra persona.

Pikërisht për këtë arsye, Gjykata Kushtetuese po vendos gradualisht një standard të ri për mënyrën se si organet e drejtësisë mund të ndërhyjnë në përmbajtjen e pajisjeve elektronike.

Vendimi nr. 78, datë 29 qershor 2026, i shpallur më 1 shtator, sjell një nga përcaktimet më të rëndësishme për mbrojtjen e privatësisë në epokën digjitale. Gjykata pranoi pjesërisht ankimin e VV-së, shfuqizoi vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë dhe e ktheu çështjen për rishqyrtim.

Në qendër të çështjes ishte sekuestrimi i telefonit të një personi që nuk ishte pjesë e grupit të 12 personave për të cilët ishte autorizuar kontrolli personal.

Prokuroria kishte marrë autorizim për kontrollin e 12 personave dhe të ambienteve të një kompanie. Kur policia gjyqësore mbërriti në ambientet e kompanisë, aty ndodhej edhe VV-ja, administrator i saj. Ai u kontrollua dhe telefoni celular iu sekuestrua.

Gjykatat e zakonshme e kishin konsideruar veprimin të ligjshëm, duke iu referuar nenit 205 të Kodit të Procedurës Penale, i cili lejon kontrollin e personave të pranishëm gjatë kontrollit të ambienteve, kur ekziston dyshimi se mund të fshehin prova materiale apo sende që lidhen me veprën penale.

Por Gjykata Kushtetuese vendosi një kufi të rëndësishëm: vetëm prania e një personi në ambientin që kontrollohet nuk mjafton për të justifikuar kontrollin personal dhe sekuestrimin e sendeve të tij.

Gjykatat duhet të shpjegojnë konkretisht se cilat janë rrethanat që krijojnë dyshimin se pikërisht ai person mund të ketë në zotërim prova të lidhura me veprën penale.

Në rastin konkret, sipas Kushtetueses, as prania e VV-së në ambient dhe as pozicioni i tij si administrator nuk ishin analizuar në mënyrë të mjaftueshme për të justifikuar këtë ndërhyrje.

Por pjesa më e rëndësishme e vendimit lidhet me atë që ndodh pasi telefoni merret nga autoritetet.

Sekuestrimi i telefonit nuk do të thotë kontroll i jetës digjitale

Gjykata Kushtetuese bën një dallim të qartë mes sekuestrimit fizik të pajisjes dhe aksesimit të përmbajtjes së saj.

Fakti që autoritetet kanë të drejtë të marrin një telefon nuk do të thotë automatikisht se mund të kontrollojnë gjithçka që ndodhet brenda tij.

Një smartphone përmban një sasi të jashtëzakonshme informacioni personal. Për këtë arsye, kontrolli i përmbajtjes së tij përbën një ndërhyrje më të thellë në privatësi dhe në konfidencialitetin e komunikimeve.

Gjykata dallon edhe dy procese të ndryshme: nga njëra anë, nxjerrjen, kopjimin dhe ruajtjen teknike të të dhënave për sigurimin e provës; nga ana tjetër, kërkimin, analizimin, përzgjedhjen dhe marrjen e informacionit që konsiderohet i rëndësishëm për hetimin.

Kjo e dyta është ndërhyrje hetimore dhe, pikërisht për shkak të natyrës së saj, duhet të bëhet mbi bazën e një autorizimi gjyqësor të arsyetuar.

Pra, autoritetet nuk mund të marrin një pajisje dhe më pas të nisin të kërkojnë pa kufi brenda saj, me shpresën se do të gjejnë ndonjë të dhënë që mund t’u shërbejë hetimit.

Fundi i “fishing expedition”?

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese vendos në qendër parimin e proporcionalitetit.

Kërkimi në një telefon duhet të ketë kufij të qartë: çfarë informacioni kërkohet, për cilën periudhë kohore, cilat komunikime apo persona lidhen me hetimin dhe përse ndërhyrja është e domosdoshme.

Gjithashtu, duhet të shqyrtohet nëse qëllimi i hetimit mund të arrihet përmes një mase më pak ndërhyrëse.

Kjo është një goditje ndaj praktikës së njohur si “fishing expedition”, ku merret një sasi e madhe informacioni dhe më pas kërkohet brenda saj për të parë se çfarë mund të gjendet.

Në një telefon mund të ndodhen mesazhe me familjarët, fotografi private, dokumente pune, të dhëna bankare, informacione shëndetësore apo komunikime me persona që nuk kanë asnjë lidhje me çështjen penale.

Për këtë arsye, Gjykata kërkon që të dhënat që kanë lidhje me hetimin të ndahen nga informacioni privat që nuk ka lidhje me të.

Teknologjia po ndryshon edhe rregullat e drejtësisë

Vendimi nr. 78/2026 nuk është i shkëputur nga jurisprudenca e mëparshme. Ai vijon standardet e vendimit nr. 44/2025 të Gjykatës Kushtetuese për mbrojtjen e të dhënave elektronike dhe komunikimeve.

Nga këto vendime po krijohet gradualisht një parim i ri: shteti mund të ketë të drejtë të sekuestrojë një pajisje, por kjo nuk i jep automatikisht të drejtën të kontrollojë pa kufi jetën digjitale të qytetarit.

Në epokën kur pothuajse e gjithë jeta personale është e përmbledhur në një pajisje

Advertisement