Politike
Berisha sfidon Ramën: Cili nga ne është pasuruar nga pushteti
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka sfiduar kryeministri Edi Rama, duke i bërë thirrje që të dalin e të thonë se kush e ka përdorur pushtetin për pasurimin e vet. Duke prezantuar kandidatët e koalicionit “ Bashkë Fitojmë” në Mat dhe Klos, Berisha u shpreh se Rama nuk vjen ta bëj këtë sepse nuk ia mban.
“Skëndër Gjuci dhe Bedi Hoxha, dy qeveritarë vendorë të sprovuar, të cilët u kanë shërbyer ju me përkushtim dhe të cilët sot këtu dhe kudo që të doni ju, janë të gatshëm të ballafaqohen me kundërshtarët e tyre. I them Edi Ramës që kalon nga takimi në takim me një fjalor të padenjë, një fjalor tipik për halabakët i them hajde këtu në Mat, ja ku janë këta qytetarë, dil këtu me Sali Berishën dhe tu faktojmë pak këtyre qytetarëve se nuk po hyjmë në ato që kemi realizuar anëtarësimin në NATO, apo etj., etj., jo, tu faktojmë këtyre qytetarëve se kush e ka përdorur pushtetin për tu pasuruar vetë dhe kush ka menduar për qytetarët. Kaq. Cili nga ne të dy ka përdorur pushtetin për pasurimin e tij, nuk vjen dot, nuk ja mban, nuk del dot. Po pse nuk del. Edhe unë kam familjarë edhe ai ka familjarë. Dallimi është si nata me ditën se unë mund ti numëroj atij, këtu para jush me dhjetëra me qindra tendera të fituara në mënyrën më antiligjore, më të padrejtë nga familjarët e tij, nga baxhanaku i tij, nga thjeshtra e tij, në kundërshtim me ligjet, në kundërshtim me ligjin e interesit, për të cilat ai do të shkojë atje ku e ka vendin. Edhe unë kam qeverisur 8 vite. Le të gjejë një tender që kanë fituar fëmijët, apo njerëzit e mi. Zero, zero, zero. Unë të them hajde këtu tu tregojmë këtyre burrave dhe grave se çfarë ke firmosur tip, paf, paf, paf, e fap, fap, fap. Se si ke firmosur ti për të vjedhur vetëm me djegësat e Fierit, Tiranës që nuk ekzistojnë kërkund, 420 mln euro. Kurse unë kam firmosur mbi 7 mijë vendime qeverie dhe vendime të kryeministrit, asnjë prej tyre paf, paf, paf, e fap, fap, fap, por e kam firmosur, kam firmosur duke menduar 7 herë e firmosur një herë. Prandaj ti nuk vjen këtu, nuk del as në studio televizive dhe prandaj kalon shesh më shesh me gjuhën prej halabaku,” tha Berisha.