Politike
“Po qytetarët ku janë?”/ Tabaku sulmon Ramën pas takimit me kryebashkiakët
Postimi i plotë:
KRYEBASHKIAKËT NË KUÇ. PO QYTETARËT KU JANË?
Çdo takim për Reformën Administrativo-Territoriale mund të jetë i dobishëm. Por një takim katërorësh, i thirrur nga Kryeministri, nuk mund të zëvendësojë dëgjesat në Kuvend, konsultimin me komunitetet dhe transparencën publike.
Bashkia e Tiranës, njësia më e madhe vendore në Shqipëri, nuk u paraqit për t’u dëgjuar në Komisionin Parlamentar. Kur thërret Kuvendi, koha nuk gjendet. Kur thërret Kryeministri, edhe koha gjendet, edhe rruga deri në Kuç nuk është më pengesë.
Nga ky takim shqiptarët kuptuan edhe më mirë se kujt i përgjigjen kryebashkiakët: jo qytetarëve që i zgjodhën, por shefit që i përzgjodhi dhe u dha bekimin partiak.
Ky është problemi që prodhoi reforma e vitit 2014: territoret u zmadhuan, por pushteti vendor nuk u fuqizua. Bashkive iu dhanë përgjegjësi pa burime të mjaftueshme financiare, njerëzore dhe administrative. Shërbimet u larguan nga shumë komunitete, ndërsa vendimmarrja u përqendrua edhe më shumë në Tiranë.
Në praktikë, Kryeministri sillet si kryebashkiaku i 61 bashkive, ndërsa shumë prej të zgjedhurve vendorë mjaftohen duke zbatuar dhe legjitimuar vendimet e tij.
Pak ditë pasi socialistët hodhën në tryezë ofertën e tyre për ridizenjimin e kufijve territorialë, pa përfunduar konsultimin institucional dhe publik, iu drejtova raportuesve për Shqipërinë të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës.
Përgjigjja e tyre është e qartë. Ata evidentojnë:
– prirjen drejt centralizimit të kompetencave;
– kapacitetet e kufizuara financiare dhe administrative të bashkive;
– nevojën për mekanizma realë konsultimi ndërmjet pushtetit qendror dhe atij vendor.
Këshilli i Europës nuk na përcakton sa bashki duhet të kemi. Numri dhe modeli territorial janë përgjegjësi e autoriteteve shqiptare. Por ai përcakton standardin demokratik me të cilin duhet të zhvillohet reforma dhe paralajmëron për rreziqet kur këto standarde nuk respektohen.
Neni 4.6 i Kartës Europiane të Vetëqeverisjes Vendore kërkon që autoritetet vendore të konsultohen në kohën e duhur dhe në mënyrën e përshtatshme. Neni 5 kërkon që kufijtë vendorë të mos ndryshojnë pa konsultimin paraprak të komuniteteve të prekura, përfshirë referendumin vendor kur ligji e lejon.
Prandaj një mbledhje me dyer të mbyllura nuk e përmbush standardin europian të konsultimit. Sipas standardeve që kjo shumicë pretendon se i ka për zemër, duhet të kishim dëgjesa transparente dhe institucionale, ku qytetarëve t’u jepej mundësia reale të ndikonin mbi vendimin.
Reforma 2.0 nuk mund të jetë thjesht një version i përditësuar i reformës së vitit 2014: më pak bashki tani që nuk ekzistojnë më detyrimet e dikurshme të koalicionit. Sepse kjo do të përkthehej në territore edhe më të mëdha, pushtet vendor edhe më të dobët, më pak zë për qytetarin dhe më shumë vendimmarrje të centralizuar — përfshirë vendimet mbi territorin dhe lejet e ndërtimit.
Reforma Administrativo-Territoriale nuk është kusht formal për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Por, që integrimi të funksionojë siç duhet dhe të ndihet në jetën e qytetarëve, Shqipërisë i duhet një pushtet vendor funksional, i decentralizuar dhe me kapacitete reale.
Një pjesë e madhe e legjislacionit europian, e reformave dhe e fondeve të BE-së do të zbatohet pikërisht në nivel vendor. Nëse bashkitë nuk kanë kompetenca, financa dhe administratë të aftë, atëherë mund t’i miratojmë ligjet në Tiranë, por nuk do të jemi në gjendje t’i zbatojmë në territor.
Integrimi nuk matet vetëm me kapitujt që hapen apo mbyllen në Bruksel. Ai matet me cilësinë e ujit, menaxhimin e mbetjeve, transportin, mbrojtjen e territorit, përballimin e emergjencave dhe shërbimet që qytetari merr çdo ditë pranë shtëpisë së tij.
Prandaj kjo reformë ka rëndësi: jo sepse na e kërkon Brukseli, por sepse pa bashki funksionale, integrimi europian rrezikon të mbetet një proces i shkruar në letra dhe i pazbatuar në jetën reale.
Rëndësia e kësaj reforme shkon shumë përtej numrit të bashkive dhe vijave në hartë. Bashkitë jofunksionale nuk janë vetëm problem lokal; ato kthehen në pengesë për modernizimin dhe zhvillimin e vendit.
Prandaj, fillimisht duhet të përcaktojmë çfarë kompetencash, financash dhe shërbimesh do të kalojnë realisht te pushteti vendor. Vetëm më pas mund të vizatojmë kufijtë.
Debati i vërtetë nuk është vetëm nëse Shqipëria do të ketë 61, më shumë apo më pak bashki. Debati është:
A do t’i ketë qytetari shërbimet më pranë?
A do të kenë bashkitë pushtet dhe financa reale?
A do të pyeten komunitetet për të ardhmen e territorit të tyre?
Pa përgjigje për këto pyetje, nuk kemi reformë. Kemi vetëm një hartë të re në shërbim të pushtetit të vjetër.
