Politike
‘Po japin para…’/ Goro ia kthen Dules: Të flasë me fakte
Kreu aktual i bashkisë së Himarës Jorgo Goro, ka apeluar ndaj qytetarëve që të marrin pjesë në votime. Goro citoi se vota është për të ardhmen e tyre.
“Sot qytetarët duhet të shprehen me votë, pa asnjë hezitim i ftoj të gjithë ata që nuk kanë votuar të vijnë të shprehin vullnetin e tyre të lirë për të ardhmen e tyre”, u shpreh Goro, ndërsa komentoi edhe akuzat e kreut të PDBNJ, Vangjel Dule, sipas të cilit Goro ka ushtruar presion te votuesit. Ai hodhi poshtë këtë pretendim, duke kërkuar edhe fakte.
“Nuk ka një gjë të tillë, Dule të na e thotë me fakte. Shpreh edhe një herë atë që qytetarët po bëjnë sot. Njerëzit po votojnë për të shprerhur vullnetin e tyre”, tha Goro.
Kreu i PBDNJ, Vangjel Dule në një deklaratë për mediat tha se kandidati i PS, Jorgo Goro dhe familjarët e tij po u ushtrojnë presion qytetarëve për t’iu marrë votën, si edhe po ofrojnë para në këmbim të votës.
“Nga vizitat personale në disa qendra votimi në distancë, siç e parashikon ligji dhe nga informacionet që kemi nga përfaqësuesit e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, dua të denoncoj aktivizimin e të afërmve të kandidatit të PS duke ushtruar presion, duke ofruar para në këmbim të marrjes së kartave të identitetit dhe duke ushtruar presion mbi zgjedhësit para qendrave të votimit. Tentojmë të komunikojmë me policinë, pa sukses. Në shumicën e qendrave që kam vizituar nuk ka prani policore, është detyrim ligjor të jenë. Është detyrë e policisë të respektojë ligjin”, tha Dule.