Aktualitet
Sa paguajnë shqiptarët për të ikur si klandestinë në Europë, SHBA e Kanada?
Përfitimet e ardhura nga trafiku i emigrantëve janë shumë të larta në krahasim me risqet dhe kostot. Vepra penale e “ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve” konsiderohet më pak e rrezikshme se veprat e tjera si trafikimi i njerëzve, drogës dhe armëve dhe rrjedhimisht ka dënim më të butë sesa këto të fundit. Gjithashtu, në rast ndjekjeje nga policia, trafikantët i braktisin menjëherë klientët e tyre dhe nuk pësojnë humbje financiare, në rast se pagesa për shërbimin e ofruar është kryer paraprakisht.
Për shkak të faktorëve të ndryshëm si largësia midis vendit të origjinës dhe destinacionit, mjetet e përdorura të transportit, periudha e vitit, moti, prania e kontrolleve të shtuara policore dhe kufitare, e të tjerë, nuk mund të ketë tarifa standarde për trafikun e emigrantëve.
Megjithatë, duke u mbështetur në informacionin e përftuar nga vendimet gjyqësore ndaj grupeve të strukturuara kriminale që e kanë ushtruar këtë veprimtari, ka shifra të përafërta për trafikun drejt destinacioneve të ndryshme.
Kështu, në vitin 2006, ndihma për kalimin e paligjshëm të kufirit grek kushtonte nga 150 deri në 600 dollarë. Ndërsa transportimi deri në brendësi të shtetit helen shkonte nga 500 deri në 1000 dollarë. Nga vendimet gjyqësore të shqyrtuara rezulton se në prag të liberalizimit të regjimit të vizave, çmimi ishte rritur ndjeshëm dhe luhatej nga 1000 deri 1200 euro për person.
Ndërsa pagesat për kontrabandimin drejt vendeve të Evropës Perëndimore ishin nga 2500 deri në 6000 euro. Kontrabandimi drejt Italisë përmes vendeve të Ballkanit Verior kushtonte 3000-3500 euro. Për destinacione më të largëta, si Amerikë dhe Kanada, pagesat llogariten deri në 16.000 euro duke përfshirë falsifikimin e dokumenteve të identifikimit dhe vizave.
Informacioni mbi tarifat e trafikut, i shoqëruar nga numri i personave që kanë shfrytëzuar kanalet e paligjshme për të mbërritur në destinacionet e zgjedhura, i ka ndihmuar ekspertët të nxjerrin përfitimet dhe fuqinë ekonomike të rrjeteve kriminale të përfshira në kontrabandimin e emigrantëve.
Sipas censusit kombëtar të vitit 2011, vlerësohet se rreth 500.000 persona kanë emigruar nga viti 2001 deri në vitin 2011. Aktualisht nuk ka një statistikë zyrtare mbi përqindjen e personave që kanë emigruar në mënyrë të ligjshme dhe diferencën e mbetur të personave të kontrabanduar.
Gjithsesi, raporte dhe studime të ndryshme ndërkombëtare kanë raportuar prej kohësh shifra të ndryshme, referuar të ardhurave vjetore kriminale të rrjeteve të kontrabandimit të emigrantëve. Kështu, nga dërgimi i gomoneve drejt Pulias, një pronar në Vlorë pranonte se fitonte rreth 10.000 dollarë në natë.
Ndërsa të ardhurat vjetore nga kontrabandimi i emigrantëve për një grup kriminal mund të arrinin deri në 45 milionë euro. Të ardhurat kriminale nga kjo veprimtari, sipas UNDP, ishin edhe më të larta, duke arritur deri në 300 milionë dollarë vetëm për qytetin e Vlorës.
Gjatë periudhës 1998-2005, sipas të dhënave të policisë italiane 95.822 persona kanë emigruar në mënyrë të paligjshme drejt Italisë. Secili prej tyre ka paguar nga 500 deri në 1000 euro, që përkon me një të ardhur mesatare kriminale prej afro 80 milionë euro, nga kjo veprimtari. Sipas të njëjtave burime prej këtyre 22.815 emigrantë të paligjshëm ishin shtetas shqiptarë. Në të njëjtën periudhë kohore, autoritetet shqiptare raportonin se pagesa për kontrabandimin drejt destinacioneve të ndryshme luhatej nga 300 deri në 3000 euro.
Shqip.com