Bota
Kreu i Wagner udhëheq kryengritjen kundër Moskës, Putin i drejtohet popullit
Udhëheqësi mercenar i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin u shpalli zyrtarisht luftë skalioneve ushtarake të Moskës. Ai ka bërë thirrje për “ndalim” të krerëve ushtarakë rusë pasi ai akuzoi trupat e rregullta për bombardimin e kampeve të luftëtarëve të tij me urdhër të ministrit të mbrojtjes Sergei Shoigu duke paralajmëruar një numër të madh vdekjesh. Themeluesi i kompanisë famëkeqe të mercenarëve rusë, Prigozhin, ka denoncuar se ushtria ruse ka kryer sulme me raketa në fushat e pasme të Wagner-it në zonën e Kurskut. Pas sulmit, Prigozhin njoftoi se do të eliminonte udhëheqjen ushtarake të Rusisë.
Agjencia ruse e lajmeve TASS, ka raportuar se presidenti rus, Vladimir Putin, do ta bëjë të shtunën një adresim televiziv, pas këtyre zhvillimeve.
Grupi Wagner është një organizatë paraushtarake që lufton përkrah forcave ruse në Ukrainë. Në muajt e fundit, Prigozhin është bërë gjithnjë e më i zëshëm në kritikat e tij kundër udhëheqjes ushtarake të Rusisë.
Presidenti rus, Vladimir Putin, është njoftuar për situatën dhe po merren të gjitha masat e nevojshme, tha zëdhënësi i tij, Dmitry Peskov. Ngjarja paraqet një përshkallëzim befasues të grindjeve brenda Rusisë.
Gjatë natës Federata Ruse sulmoi kryeqytetin ukrainas dhe për shkak të një rakete që u godit në ajër, dy persona humbën jetën dhe tetë u plagosën.
Prigozhin ka qenë dikur aleat i Putinit. Në janar të këtij viti, SHBA-ja e ka shpallur grupin e tij, Wagner, organizatë kriminale transkombëtare, për shkak të aktiviteteve në Ukrainë, por edhe në Lindje të Mesme dhe në Afrikë. Si Prigozhin, ashtu edhe grupi janë të sanksionuar nga Perëndimi.
Në përditësim…
Ora 08:52
Kreu i Wagner udhëheq kryengritjen kundër Moskës, Putin pritet të mbajë fjalim para popullit
Ndërkohë Ëagner, po hetohet për nxitje të rebelimit, pasi akuzoi ushtrinë ruse për një sulm vdekjeprurës me raketa kundër trupave të tij.
Yevgeny Prigozhin tha se “e keqja” në udhëheqjen ushtarake duhet të ndalet dhe u zotua se “do të marshojë për drejtësi”.
Prigozhin: Wagner do të marshojë në Moskë nëse ministri Mbrojtjes nuk vjen në Rostov
Prigozhin: Në Rostov ne kontrollojmë selinë e ushtrisë dhe aeroportin
Wanger i shpalli luftë, Moska: Po bëjmë gjithçka për sigurinë e Rostovit, s’është e vërtetë që jemi futur në shtetrrethim
Ai shkruan gjithashtu se nuk është e vërtetë se Rostovi është futur në shtetrrethim.
“Situata aktuale kërkon përqendrimin maksimal të të gjitha forcave për të ruajtur rendin. Agjencitë ligjzbatuese po bëjnë gjithçka që është e nevojshme për të garantuar sigurinë e banorëve të qarkut”. shkroi guvernatori rus duke u kërkuar të gjithëve të qëndrojnë të qetë dhe të mos dalin nga shtëpia nëse nuk është e nevojshme. Më herët, kreu i Ministrisë së Situatave të Emergjencave për rajonin njoftoi se informacioni i përhapur në rrjetet sociale dhe mesazhet e çastit për futjen e një shtetrrethimi në rajonin e Rostovit nuk është i vërtetë.