Bota
Pasuri prej 6.9 mld dollarë, hapet sot testamenti i Berlusconit
Sot do të hapet testamenti i Silvio Berlusconit. Mediat italiane shkruajnë se, fëmijët kanë rënë dakord për këtë datë, rreth tre javë pas vdekjes së ish-kryeministrit. E gjithë familja Berlusconi është thirrur nga noteri që mban dëshirat e fundit të themeluesit të Mediaset dhe Forza Italia.
Sipas renditjes së miliarderëve të Forbes 2023, Berlusconi ishte njeriu i tretë më i pasur në Itali me asete që arrinin në 6.9 miliardë dollarë. Në deklaratën e fundit tatimore të bërë të ditur, ish-kryeministri kishte deklaruar në organet tatimore një shumë të tatueshme mbi 50 milionë euro. Pjesa kryesore e trashëgimisë së njeriut nga Arcore është aksioni që ai kontrollon në Fininvest. Kompania mbajtëse e perandorisë zotëron 50% të MediaForEurope (d.m.th. emri i ri i Mediaset që kur e zhvendosi selinë e saj në Holandë), 30% të Banca Mediolanum dhe 53% e Mondadorit.
Një bllok aksionesh me vlerë 2.4 miliardë në bursë. Nga Fininvest Berlusconi kishte 61%. Pjesa tjetër e aksioneve ndahet mes fëmijëve. Në rreshtin e parë janë ata nga martesa e tij e parë me Carla Elvira Dall’Oglio: Marina, presidente, ka 7.65% dhe kryeson Mondadorin, Pier Silvio me 7.65% është njeriu që drejton Mediaset.
Barbara, Eleonora dhe Luigi, fëmijët nga martesa e tij me Veronica Lario, së bashku zotërojnë 21% të kompanisë. Luigi dhe Barbara nuk kanë detyra operative, por kanë rolin e aksionerëve të Fininvest.dhe të ulen në bordin e drejtorëve. Fininvest ka pak më pak se 49% të të drejtave të votës në mbledhjen e aksionerëve të Mfe, kompania me qendër në Holandë në të cilën u bashkuan asetet italiane dhe të huaja të Mediaset në 2019. Bashkimi me Mediaset Espana duhet të përfundojë mes verës dhe vjeshtës së vitit 2023. Vivendi francez, aksioneri i dytë, ka 23.35%.