Kronike
Me armë zjarri në makinë/ Arrestohet 31 vjeçari i shpallur në kërkim, e pëson edhe shoku
Një 31 vjeçar është arrestuar në Vlorë pasi u kap me armë zjarri në automjet. Jurgen Zotaj nga Vlora ishte shpallur në kërkim për vjedhje me dhunë. Policia vuri në pranga gjithashtu edhe 34 vjeçarin Ermal Binjaku, që ishte pasagjer në automjet me 31 vjeçarin, pasi akuzohet për moskallëzim krimi.
Arrestimi i tyre u bë i mundur në vendin e quajtur “Fusha e Murrës”, kur dy të rinjtë janë ndaluar nga policia për kontroll. Pas kontrollit, policia i gjeti 31 vjeçarit një armë zjarri pistoletë me krehër dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin.
Nga verifikimet rezultoi se Jurgen Zotaj ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lushnjë, me vendimin e datës 17.11.2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale” “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim.