Connect with us

Kronike

‘Do ti jap lekët…’/ Vodhi një makinë, dënohet me burg shqiptari në Francë

34-vjeçari Arjan Hyseni është dënuar me 4.5 vite burg nga Gjykata e Sarandës për “trafikim i mjeteve motorike” dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar, me 3 vite burg. Ai akuzohej për një makinë të vjedhur në Francë, ndërsa provat që ka dhënë në gjykatë faktonin se lidhej me një borxh të pashlyer nga ish-pronari i tij.

Arjan Hyseni, muaj më parë u kap në Qafë-Botë me një automjet të vjedhur në Francë. Në dosjen hetimore të Prokurorit Ilir Hoxha shkruhej se automjeti tip “Wolsvagen Scirocco” me numër shasie “WVWZZZ13ZCV013612” rezultonte i regjistruar si i vjedhur më datë 10.09.2022 në Francë.

“Në kuadër të verifikimit të njoftimit ‘alert’ të dhënë nga sistemi TIMS, nga komunikimi i mëtejshëm i realizuar në rrugë të komunikimit me postë elektronike me Interpol Tirana, u arrit të administrohej informacioni që bënte fjalë se automjeti tip “Wolsvagen Scirocco” me numër shasie “WVWZZZ13ZCV013612” rezultonte i regjistruar si i vjedhur më datë 10.09.2022 në Francë dhe aktualisht ishte në kërkim ndërkombëtar”, thuhet në dosjen hetimore të Prokurorit Ilir Hoxha.

Avokati i tij Brigels Dervishi ka deklaruar se Arjan Hyseni ka bashkëpunuar me organin e akuzës për zbardhjen e kësaj ngjarje. Sipas tij, arsyeja e marrjes së këtij mjeti ka qenë një borxh prej 6-7 mijë frangash që shtetasi Shkëlqim Shameti i kishte pasur për punën që Arjani kishte kryer në kompaninë e tij.

“Sipërmarrësi Shkëlqim Shameti u kishte premtuar punë tek kompania e tij, pasi ky i fundit merrej me restaurime vilash dhe këta shtetas do të paguheshin për punën e tyre. Gjërat nuk shkuan siç duhet, pasi rezultoi se pronari filloi t’i mashtronte me lekët, se ‘do ua jap sot, apo do ia jap nesër’ dhe pikërisht ky është kurthi që ai ra, pasi Shkëlqimi i dha një makinë që më pas rezultoi e vjedhur”, u shpreh Dervishi.

Avokati shtoi se shoku i Hysenit, edhe ky i mashtruar ne Zvicër, nuk mori asnjë qindarkë nga Shameti dhe u braktis rrugëve të Zvicrës pa asnjë të ardhur.

Gjatë seancës, nga pala u paraqit një foto nga “Facebooku” i Shkëlqim Shametit ku duken targat W 135 LK, me të cilën u kap Hyseni, të cilat në foto Shameti i kishte të vendosura në një mjet tjetër.

Gjithashtu, sikundër rezulton në një dokument tjetër, del në pah një tjetër shtetas Gole Biadess, që dhe tek ky person nga një vështrim në Facebook shihet qartë një foto e tij me makinën që u kap në Shqipëri. Këto fakte nuk e bindën gjyqtarin Fatmir Ndreu, i cili vendosi të dënojë Arjan Hysenin.

Advertisement