Bota
Lufta ne Ukrainë/ Rusët bombardojnë Kherson
Administrata ushtarake rajonale e Kievit, raporton se rusët kanë bombarduar Khersonin. Për pasojë mbetën të plagosur një grua 54-vjeçare dhe një burrë 49-vjeç. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin thotë se do të përdorin bomba thërrmuese, nëse ato i përdor edhe Ukraina. Furnizimi i Ukrainës me municione thërrmuese dhe përdorimi i tyre “duhet të konsiderohet krim”. Këtë e deklaroi Putin në një intervistë, duke nënvizuar se edhe Moska “ka një rezervë të mjaftueshme bombash të tilla”, të cilat “nuk janë përdorur deri më tani, duke thënë se do t’i përdorin nëse i përdor dhe Ukraina. Në dy javët e para të kundërofensive të nisur nga Kievi, deri në 20% të armëve të Ukrainës u dëmtuan ose u shkatërruan. Zyrtarët amerikanë dhe evropianë e raportojnë këtë për New York Times. Humbjet përfshijnë gjithashtu pajisje të dërguara nga perëndimi, si tanke dhe automjete të blinduara. Tani humbjet janë ulur në rreth 10% falë faktit se Ukraina ka ndryshuar taktikë në luftime, duke u fokusuar më shumë në artileri dhe raketa me rreze të gjatë. Ministria Britanike e Mbrojtjes thotë se 18,000 ushtarë të këmbësorisë së Kievit kanë ndjekur programin bazë të stërvitjes për ushtrinë ukrainase në Mbretërinë e Bashkuar. Ndërkohë raportohet për shpërthime në Kharkiv dhe disa qytete të tjera të Ukrainës. Në Sumy, Poltava dhe Zaporizhzhia ka paralajmërime për sulm ajror.