Sport
‘Jemi vonë’/ Mourinho: Nuk jam ‘qaraman’, Salernitana është për Europë
Trajneri i Romës, Jose Mourinho foli në konferencë për shtyp para ndeshjes së parë të kampionatit ndaj Salernitanës. Portugezi i klubit kryeqytetas u shpreh se skuadra e tij për momentin është me vonesë sa i takon sulmuesit që duhet të transferojnë në këtë merkato ndërsa shtoi se pavarësisht kësaj, ai nuk është nga ata që ankohen.
“E vërteta është se jemi pak me vonesë sa i takon transferimit të një sulmuesi. Megjithatë, shoqëria dhe drejtori Pinto po bëjnë një punë të mirë. Unë i besoj drejtuesve të cilët më kanë garantuar se çështjen e sulmuesit do ta zgjidhën deri në fundin e merkatos. Shpresoj që në dhjetë ditët e ardhshme të kemi diçka konkrete. Edhe sikur të vijë Mbappe në këtë moment, sërish jemi me vonesë, megjthatë unë nuk jam “qaraman”. Nuk ka asnjë kuptim të ankohem këtu përpara jush.
Salernitana? Është një skuadër që ka potencial për të mbërritur në Kupat e Europës, kanë një organikë me shumë eksperiencë. Vitin e kaluar morën rezultate pozitive dhe nuk humbën shumë ndeshje. Është një sfidë e vështirë, në Serie A nuk ka ndeshje të lehta”, u shpreh Mourinho.
Kujtojmë se ndeshjen mes Romës dhe Salernitanës do të mund ta ndiqni në SuperSport 3 duke nisur nga ora 18:30 e së dielës.