Connect with us

Kosova

Kosova duhet ta përdorë Banjskën si levën e artë

Pas ngjarjes tragjike të 24 shtatorit në Banjskë, në veri të Kosovës, duket se qasja e BE-së jep përshtypjen se ajo dëshiron ta individualizojë përgjegjësin në nivel të zyrtarëve të institucioneve të Serbisë për sulmet terroriste duke anashkaluar përgjegjësinë shtetërore të Beogradit dhe Vuçiç-it. I pyetur se si duhet që komuniteti ndërkombëtar t’i qaset Kosovës dhe Serbisë pas ngjarjeve të 24 shtatorit, Jasmin Mujanoviç, politologu nga Bosnja e Hercegovina the se ‘në një univers ideal, komuniteti ndërkombëtar pra BE-ja dhe SHBA-ja në mënyrë specifike do ta përdornin ngjarjen për të riorientuar dhe transformuar ndjeshëm marrëdhëniet e tyre me Beogradin dhe për të identifikuar shumë qartë se Serbia është drejtpërdrejt përgjegjëse për sulmet dhe vrasjet dhe kjo si rezultat do të ketë pasoja të rënda në mënyrë që Serbia të ndjejë se ekziston një qëndrim i besueshëm parandalues si nga bashkësia ndërkombëtare, ashtu edhe nga organet përkatëse të sigurisë në Kosovë. “Por fatkeqësisht, kjo nuk ka ndodhur. Tashmë ka kaluar më shumë se një muaj që nga ngjarja, madje edhe SHBA-ja nuk ka vendosur për sanksione, megjithëse ka pasur një retorikë relativisht pozitive nga SHBA-ja përsa i përket mënyrës sesi ata i kanë përshkruar sulmet”. Mujanoviç u shpreh se ne të gjithë pamë paralajmërime shumë të ashpra kundër Serbisë kur kishte trupa pranë kufirit me Kosovën, por tani ka nevojë për shumë më tepër reagim. Ai tha se ka frikë se për shkak të mungesës së një përgjigjeje të rëndësishme nga perëndimi politik, Vuçiç tani do të ndihet i guximshëm pavarësisht një momenti fillestar të krizës menjëherë pas sulmeve. Lidhur me faktin që përkundër se Serbia nuk është distancuar nga akti terrorist i 24 shtatorit, komuniteti ndërkombëtar nuk ka vënë sanksione për Serbinë, kurse Kosova vazhdon të jetë nën masa shtrënguese të vendosura nga BE, Jasmin Mujanoviç potencoi: “Mendoj se gjëja më e shpejtë ose më e lehtë për të thënë në lidhje me sanksionet është se ato janë të nevojshme. Ato nuk janë të mjaftueshme, por janë të nevojshme. Mendoj se sanksionet kundër Beogradit, ose të paktën kundër elementëve brenda aparatit të sigurisë së Serbisë, janë hapi i parë si përgjigje e duhur ndaj ngjarjeve në Banjska. Sot perceptimi i publikut  është se as SHBA-ja dhe as BE-ja nuk janë përgjigjur në ndonjë mënyrë kuptimplote ndaj asaj që bëri Serbia”

Advertisement