Bota
“Emigrantët shqiptarë në Ruanda”, Gjykata Supreme në Britani rrëzon planin e Qeverisë
Kryeministri i Britanisë, Rishi Sunak ka pësuar një tjetër goditje këtë të javë pasi Gjykata Supreme rrëzoi skemën e tij për të dërguar emigrantët e paligjshëm në Ruanda. Të gjithë anëtarët e gjykatës supreme votuan unanimisht duke e cilësuar si jo ligjor këtë plan të kreut të qeverisë, që sipas tij do të ndalte emigrimin e paligjshëm. Kryeministri Rishi Sunak e përdori atë plan për të frikësuar emigrantët e paligjshëm, përfshirë ata nga Shqipëria, për të mos kaluar La Manshin nga Franca përmes gomoneve apo varkave të vogla. Sapo dëboheshin në Ruandë, emigrantët mund të kërkonin azil atje, të ktheheshin në vendin e tyre apo të kërkonin azil në një vend tjetër, por jo në Britani. Kryetari i Gjykatës Supreme tha se ekziston një rrezik real që azilkërkuesit mund të deportoheshin nga Ruanda për në vendet nga janë arratisur.Që prej prezantimit në vitin 2022, plani është përballur me sfida ligjore, kur fillimisht Gjykata e Lartë e hodhi poshtë, ndërsa më pas apeli rrëzoi vendimin. Por tani duket se programi i deportimit do të pezullohet pasi organi më i lartë gjyqësor në Britani e konsideroi të paligjshëm. Organizatat dhe shoqatat për mbrojtjen e emigrantëve dhe azilkërkuesve përshëndetën vendimin.