Connect with us

Kosova

Aktivistja serbe: Kosova duhet jetë anëtare e të gjitha organizatave

Sipas Drejtoreshës ekzekutive të Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Izabela Kisiç, konflikti i ngrirë mes Kosovës dhe Serbisë, është në interes të Rusisë, e cila ndikon në destabilizimin e Ballkanit përmes çështjes së hapur të Kosovës”. Kisiç gjithashtu vlerësoi se Moska ka potencial “shantazhi” ndaj rajonit, dhe se do që ta mbajë atë larg integrimeve evropiane dhe NATO-s, për aq kohë sa është e hapur çështja e Kosovës.

Kisiç ka theksuar se marrëveshja përfundimtare mes Prishtinës dhe Beogradit do të ishte një fitore, sepse, sipas saj, “do jetë fundi i një konflikti dekadash, përmirësim për qytetarët e Serbisë dhe Kosovës dhe rrugën e hapur drejt Bashkimit Evropian”.

Në vlerësimin e saj, një konferencë ndërkombëtare, që ishte propozuar nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mbështetur nga Presidenti i Komisionit Evropian, Charles Michel, për zgjidhjen e problemit mes dy fqinjëve ballkanikë, është e tepërt, madje mendon se shërben si “shtyrje e zgjidhjes”.

Tashmë ka marrëveshje – potencoi ajo – dhe se dialogu në nivel të lartë është duke vazhduar për një kohë të gjatë, prandaj, sipas saj, tani është e nevojshme të zbatohet ajo që është rënë dakord deri më tani, “mbi të gjitha marrëveshja e fundit e Ohrit  më 18 mars 2023”.

E pyetur nëse ka dilemëa mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës, Kisiç ka deklaruar se zgjidhja është ajo që është e mirë për të gjithë qytetarët, dhe kjo, pohon ajo, është “Kosova edhe Serbia në BE, e cila është rruga jo vetëm drejt fondeve të BE-së, por edhe drejt reformave”.

Kisiç mendon se konflikti aktual me Kosovën po pengon të gjitha reformat në Serbi, “e cila nuk do marrë para për zhvillim të mëtejshëm, nëse nuk po zbaton reforma dhe zgjidhja e marrëdhënieve me Kosovën është pjesë e këtij procesi”.

“Kosova duhet të jetë anëtare e të gjitha organizatave ndërkombëtare në të cilat është anëtare edhe Serbia, përfshirë Kombet e Bashkuara dhe më e rëndësishmja është anëtarësimi i dy vendeve në BE dhe NATO” –  insistoi Kisiç, për median opozitare serbe “Danas”.

Aktivistja serbe, përkrah themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por çështja kryesore këtu, sipas saj, “është koncepti mbi të cilin duhet të bazohet”.

Ajo është e mendimit se Asociacioni duhet të harmonizojë parimin e zhvillimit të identitetit të komunitetit pakicë serb, “kryesisht përmes kulturës dhe arsimit dhe zhvillimit ekonomik lokal”, dhe “parimit të sovranitetit dhe integritetit të Kosovës”.

Kisiç gjithashtu paralajmëroi se potenciali për një konflikt të përgatitur nga Serbia,  ka ekzistuar për një kohë shumë të gjatë, përmes radikalizimit dhe përgatitjes së publikut për të mbështetur konfliktin, siç ishin parullat për kthimin e Serbisë në Kosovë.

Në përfundim të fjalës së saj, aktivistja serbe pohoi se sulmi terrorist në Banjskë, tregoi se NATO dhe BE do të qëndrojnë pranë qeverisë së Kosovës në rast të ndonjë provokimi për konflikt nga Serbia.

Advertisement