Connect with us

Kosova

Vogel: Vështirë të imagjionohet një zgjidhje për Kosovën, para mesit të vitit 2025

Eksperti i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian nga Këshilli i Politikave të Demokratizimit në Bruksel, Toby Vogel, në një intervistë për gazetën malazeze “Pobjeda”, ka thënë se janë minimale gjasat që të ketë lëvizje të rëndësishme në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, para mesit të vitit 2025.

Ai ka konsideruar se procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ka pësuar “vdekje klinike” pas ngjarjeve të fundit, ndërsa ka kritikuar ashpër shefin e diplomacisë së Bashkimit Europian, Josep Borrell dhe Emisarin Special për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, pikërisht për shkak se të dy vijnë nga shtete që akoma nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Para së gjithash, mendoj se ishte një gabim i madh që shefi i politikës së jashtme të BE-së dhe negociatorët kryesorë vijnë nga pakica e vendeve anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën. Janë pesë shtete anëtare (Spanja, Sllovakia, Greqia, Qipro dhe Rumania) që nuk e njohin Kosovën dhe nga këto ju zgjidhni shefin e politikës së jashtme dhe kryenegociatorin?!” – potencoi Vogel, i cili gjithashtu shtoi se – “Dialogu ka 10 vite që po vazhdon dhe asgjë nuk ka lëvizur. Kjo tregon se gjërat nuk janë në rregull. Në këto kushte, për mendimin tim, është e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që para mesit të vitit 2025, të arrihet ndonjë marrëveshje Kosovë-Serbi” .

Vogel ka theksuar edhe se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të pajtohej të nënshkruante një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi vetëm nëse arrin të marrë pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe ose të avancojë rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në BE.

Ai ka shtuar ndër ndër të tjera se qasja aktuale e liderëve evropianë në përpjekje për të zbutur Vuçiçin ka dështuar dhe sëkëndejmi, presidenti serb mbetet padyshim një faktor destabiliteti në Kosovë, Mal të Zi, Bosnje dhe Hercegovinë, por edhe në Maqedoninë e Veriut. Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi pritej të hynte në fazën përmbyllëse dhe marreveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi planifikohej të arrihej në kryeqytetet evropiane në fund të vitit 2023. Ky afat nuk do të arrihet dhe tashmë marrëveshja Kosovë-Serbi, përpos ndikimit nga dy luftërat, do të matet në kontekstin zgjedhjeve në Serbi.

Advertisement