Kronike
‘Baroni i drogës’/ Ja emri që përdorte Gëzim Çela për t’i shpëtuar arrestimit
Janë zbardhur detaje të reja nga arrestimi i Gëzim Çelës në Kosovë, i njohur ndryshe si “Baroni i Drogës”, i shpallur në kërkim nga SPAK.
Burime bëjnë me dije se Gëzim Çela kishte gjetur disa metoda për të mos rënë në sy të autoriteteve policore. Krahas ndryshimeve që ka pësuar në pamje ai nuk përdorte as emrin e tij. Mësohet se për t’i shpëtuar arrestimit ai përdorte dhe identitetin Bekim Bajraktari.
Gjithashtu, mësohet se në momentin e arrestimit në Kosovë, Gëzim Çela ka qenë i shoqëruar dhe me dy femra nga Shqipëria.
Gëzim Çela ishte shpallur në kërkim nga SPAK në vijim të operacionit të koduar “Flakë në Det”, të ekzekutuar në muajin gusht, ku u godit një tentativë e trafikimit të drogës me varkë velierë nga lugina e Patokut në drejtim të Italis. Më konkretisht dyshohet se do shkëmbehej në mes të detit kanabis me kokainë, ku dyshohej për rreth 1 ton kanabis, por që u dogj nga ana e trafikantëve.
SPAK e akuzon Gëzim Çelën për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata krimianle dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Në muajin gusht, Policia e Shtetit arrestoi në kuadër të këtij operacioni kushëririn e Gëzim Çelës, Nerim Çela, si dhe ish-punonjësin e Policisë së Shtetit, Arlind Ismailukaj, Armando Mema, Besnik Brokeri nga Vlora dhe dy korrierët me shtetësi ukrainase Kyrylo Ponomarenko dhe Kostiantyn Biellon. Ndërsa, më 9 tetor të këtij viti, SPAK lëshoi 4 urdhër-arreste të reja, ku u arrestua shefi i komisariatit të Kurbinit, Dritan Metaj, si dhe u shpallur në kërkim Gëzim Çela i njohur si “Baroni i Drogës”, Arben Dalipaj nga Vlora dhe Roland Guzo nga Durrësi.
Sipas ministrit të Brendshëm, Taulant Balla, “Baroni i Drogës” Gëzim Çela u arrestua në Kosovës pas bashkëpunimit me një agjenci të rëndësishme partnere dhe me strukturat ligjzbatuese të Republikës së Kosovës.
“Forca e ligjit do të godasë mbi këdo dhe pandërshkueshmëria do të marrë fund ndaj kujtdo që kujton se do të vazhdojë t’i fshihet drejtësisë. Përgëzoj Policinë e Shtetit, e cila në bashkëpunim me një agjenci të rëndësishme partnere dhe me strukturat ligjzbatuese të Republikës së Kosovës kanë bërë të mundur arrestimin e shtetasit Gëzim Çela, një person i dënuar dhe i kërkuar prej shumë kohësh nga drejtësia në Shqipëri.” – shkruan Balla.