Connect with us

Kosova

Firmoset më 27 shkurt/ Kurti për marrëveshjen me Serbinë

Ndonëse më 27 shkurt të 2023-ës takimi trepalësh mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit serb Aleksandar Vuçiç, i ndërmjetësuar nga shefi i Bashkimit Evropian Josep Borrell, kishte përfunduar pa nënshkrime në marrëveshjen e arritur, sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kjo s’do të thotë që marrëveshja s’mund të nënshkruhet këtë muaj, në 1 vjetorin e ngjarjes dhe ka deklaruar se përgjigja e tij do të jetë pozitive nëse ftohet për të firmosur.

“Nëse na thërrasin për nënshkrim të marrëveshjes padyshim që do shkoj. Unë jam treguar konstruktiv dhe i përkushtuar edhe atëherë kur na kanë thirrur në Bruksel e raundi i bisedimeve nuk mund të thuhet që ka qenë i suksesshëm” – deklaroi Kurti, edhe pse vetë në Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje thoshte se Marrëveshja e arritur në Bruksel është rezultati më i madh diplomatik i Kosovës.

“Unë këtë e bëj për BE-në, por e bëj edhe për shkak se duhet të kemi marrëdhënie normale me Serbinë. Sa për mua, këto do të normalizoheshin qysh në vitin e kaluar, por nëse nuk është bërë në shkurtin dhe marsin e vitit 2023, e mund të bëhet në shkurtin dhe marsin e vitit 2024, pse jo” –  është shprehur Kurti para gazetarëve.

Persa i përket raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai ka thënë se vazhdojnë të jenë të mira, por kjo sipas tij s’do të thotë se duhet të pajtohen çdo herë e për çdo gjë.

Ai ka potencuar se Qeveria e Kosoves është e detyruar te respektojë rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ndaloi përdorimin e dinarit serb ndërsa shtoi një periudhë tranzitore 3 mujore me arsyetimin e informimit të serbëve në Veri.

Ndërsa, persa i përket armatimit që po bën Serbia, Kryeministri Kurti ka thënë se s’po armatoset për t’u mbrojtur.

Kreu i ekzekutivit, vlerësoi gjithashtu se normalizimi I marredhenieve duhet të bëhet, por që ky normalizim s’mund të arrihet njëanshëm.

Duhet të jetë edhe sipas standardeve dhe normave evropiane, meqenëse Brukseli është vendi ku bëjmë marrëveshje dhe bashkëbisedojmë, por njëkohësisht edhe Brukseli përcakton kornizën, le të themi kornizën politike dhe vlerore të kontinentit që i përkasim” – theksoi Kurti

Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011. Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

Advertisement