Connect with us

Kosova

Financial Times për blerjen e avionëve ‘Rafale’ nga Franca

Në një artikull të prestigjozes britanike “Financial Times” për marrëveshjen që pritet të nënshkruhet midis Francës dhe Serbisë për avionët e sofistikuar luftarakë “Rafale” me vlerë prej 3 miliardë euro, kjo lëvizje vlerësohet të jetë shenjë se Serbia është duke u larguar gradualisht nga Rusia, posaçërisht në aspektin e blerjes së armëve, sigurisë dhe mbrojtjes.

“Serbia pritet të nënshkruajë marrëveshjen më të madhe të armëve në historinë moderne – një shenjë se si lufta e Rusisë në Ukrainë e shtyu një nga aleatët më të afërt të Moskës të diversifikojë blerjet e armëve” – shkruan gazeta britanike, duke e cilësuar marrëveshjen “angazhim afatgjatë” të Serbisë ndaj perëndimit pas dekadash mbështetjeje te avionët rusë.

Që nga pushtimi i plotë i Rusisë në Ukrainë në vitin 2022, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, frustroi kryeqytetet evropiane duke refuzuar t’i bashkohet sanksioneve perëndimore kundër presidentit rus, Vladimir Putin, ndërkohë që synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Por ndërsa presioni i bashkësisë së organizuar perëndimore filloi të rritej mbi Serbinë, presidenti serb filloi të lejojë dërgesat e municioneve të prodhuara nga Serbia në Ukrainë dhe të blejë armë perëndimore, përveç sistemeve kineze dhe ruse që përdoren aktualisht nga forcat e armatosura serbe.

Një zyrtar serb i mbrojtjes deklaroi për “Financial Times” se marrëveshja për blerjen e avionëve luftarakë francezë është pothuajse çështje e kryer, por se Serbia dhe Franca duhet të bien dakord për kushtet financiare. Lufta në Ukrainë “përshpejtoi diversifikimin e armëve për ne” – shtoi zyrtari serb.

Megjithatë, gazeta e njohur britanike raporton se shitja e aeroplanëve luftarakë nuk do të ndodh pa u zgjidhur disa çështje, përfshirë marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Ndër kushtet e kërkuara, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, raportohet të ketë përmendur edhe nevojën për ta njohur Kosovën.

“Macron gjithashtu sinjalizoi se dëshiron që Serbia të ndërmarrë hapa të mëtejshëm drejt perëndimit, duke përfshirë njohjen e shtetësisë së Kosovës” -shkruan “Financial Times” në artikullin e fundit, ndërsa përmend edhe interesimin e Serbisë për të blerë armë nga Shtetet e Bashkuara.

Avioni “Rafale” i cili u funksionalizua në vitin 2004 dhe pritet të fluturojë deri në vitin 2060, raportohet të jetë “maja e shtizës” së eksportit të industrisë franceze të mbrojtjes. Rreth shtatë vende posedojnë avionët luftarakë francezë ose kanë lidhur marrëveshje tregtare për t’i blerë: Egjipti, Katari, India, Greqia, Indonezia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kroacia.

Advertisement