✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

URGJENCA NËN NDRYSHIM! RISHIKOHET LIGJI, RRITEN PAGAT E MJEKËVE NË 2027

Shërbimi i urgjencës mjekësore pritet të hyjë në një fazë riorganizimi, me ndryshime që prekin mënyrën e funksionimit, koordinimin e ekipeve në terren dhe pagesat e mjekëve roje.

Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, bëri të ditur se ka nisur procesi i rishikimit të ligjit për urgjencën mjekësore. Paralelisht, po punohet për digjitalizimin e shërbimit dhe unifikimin e protokolleve, me synimin për të përshpejtuar reagimin dhe përmirësuar koordinimin në rastet emergjente.

Gjatë një vizite në Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Spahiu njoftoi gjithashtu se në buxhetin e vitit 2027 është parashikuar rritja e pagesave për mjekët roje. Ajo vlerësoi kontributin e personelit që përballet çdo ditë me situata emergjente, duke theksuar se shërbimi kërkon përmirësim të vazhdueshëm.

Ministrja pranoi se investimet në autoambulanca nuk janë ende të mjaftueshme. Sipas saj, krahas shtimit të mjeteve të reja, nevojiten investime edhe në pajisjet mjekësore dhe kapacitetet e ekipeve që dalin në terren për t’iu përgjigjur thirrjeve për ndihmë.

Një tjetër sfidë për urgjencën pritet të jetë periudha e sezonit të gripit, kur numri i kërkesave për ndihmë mjekësore mund të rritet. Për këtë arsye, ministrja theksoi rëndësinë e përgatitjes së shërbimit për të përballuar ngarkesën dhe për të garantuar një përgjigje sa më efikase.

Advertisement