Kosova
HAPENI GOJEN, Kearns kërkon të publikohet hetimi për Banjskën
Shefja e Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, duke folur për sigurinë në Ballkanin Perëndimor, njoftoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kanë përfunduar hetimin për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, dhe kërkoi publikimin e rezultateve.
Duke qenë se në këtë fazë asnjë prej shteteve kryesore perëndimore nuk i ka bërë publike rezultatet e hetimeve, deputetja britanika kërkoi nga SHBA-ja të përgjigjen dhe t’i prezantojnë të gjeturat e hetimeve, posaçërisht për shkak se autoritetet serbe mohojnë përfshirjen në këtë sulm dhe rrezikut të përsëritjes së të njëjtës ngjarje.
“Aleatët duhet urgjentisht të publikojnë rezultatin e hetimeve, sepse e vërteta ka shumë rëndësi”, deklaroi Kearns.
Përsa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, posaçërisht mbi sugjerimet e diskutuara që themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të jetë kusht për Kosovën drejt avancimit në organizatë, ajo theksoi se nuk duhet të jetë parakusht Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
“Disa kanë thënë se Kosova duhet të pranohet në Këshillin e Evropës vetëm nëse krijon asociacionin. Britania e Madhe duhet ta kundërshtojë këtë. Unë nuk dua një tjetër Republikë Serbe në Ballkanin Perëndimor. Asociacioni sipas kushtetutës së Kosovës, duhet të themelohet si pjesë e dialogut Prishtinë-Beograd. Por nuk duhet të nxitohemi dhe nuk mund të bëjmë presion” – deklaroi Alicia Kearns.
Ndërkaq deputetët britanikë kanë miratuar unanimisht mocionin e propozuar nga Kearns, për sigurinë e Ballkanit Perëndimor pas një debati të mbajtur rreth kësaj teme.
Në mocion kërkohet që qeveria britanike të rrisë angazhimin e saj me partnerët rajonalë dhe aleatët ndërkombëtarë në përmirësimin e sigurisë në rajon. Ndërkaq, aty mbështetet integriteti territorial i Kosovës dhe Bosnjës, dënohet sulmi terrorist në Banjskë, si dhe bëhet me dije për ndërhyrjet ruse në Ballkan.
Gjatë debatit, deputetja britanike Kearns tha se duhet një aleancë e re e vendit të saj, SHBA-së dhe anëtarëve të tjerë të NATO-s bashkë me Kosovën që të ruhet paqja.
Kujtojmë se deputetja britanike është një ndër mbështetëset më të zëshme të Kosovës dhe që ka shfrytëzuar pozitën e saj të lartë për të mbrojtur pozicionin e vendit të vogël ballkanik në Parlamentin e Britanisë së Madhe, posaçërisht sa i përket procesit të dialogut.