Connect with us

Kosova

Janë gënjeshtra të gjitha, Escobar për akuzat ndaj tij dhe bashkëshortes

Emisari amerikan, Gabriel Escobar, në konferencën e fundit për media para lëvizjes drejt angazhimit të ri diplomatik, ka folur edhe për fushatën ndaj tij dhe gruas së tij, bërë nga një i vetë identifikuar si gazetar nga Kosova, i cili përmes një ueb-site ka shpërndarë informacione të pabazuara se Escobar është shkarkuar dhe se gruaja e Escobar ka pranuar fonde nga Qeveria e Serbisë.

Escobar ka thënë se gjithçka që është thënë nga një gazetar i pretenduar është një gënjeshtër. Emisari amerikan ka thënë se s’është shkarkuar nga pozita e tij dhe se gruaja e tij s’ka marrë asnjëherë fonde nga ambasadat me të cilat ka bashkëpunuar.

Gjithashtu ai ka demantuar edhe pretendimet se ka lidhje familjare me një avokat në një firmë ligjore amerikane.

“Për dezinformimin që është prodhuar përgjatë fundjavës nga një i ashtuquajtur gazetar, që ka thënë se jam shkarkuar apo për lidhje me qeverinë serbe, dua të them direkt, që gjithçka në atë raportim është një gënjeshtër. Një gënjeshtër lehtësisht e verifikueshme. Para se gjithash unë s’jam shkarkuar dhe çdo kush në DASH e ka verifikuar. Së dyti, gruaja ime asnjëherë s’ka pranuar para nga asnjë qeveri e huaj. Gruaja në secilën ambasadë për të cilën ka punuar në Bolivi, Portugali, Itali dhe madje edhe në Serbi, e bën në kontakte me njerëzit dhe pa asnjë pagesë apo kontratë dhe s’kam asnjë lidhje familjare për avokatin e pretenduar në firmën ligjore”, ka deklaruar Gabriel Escobar.

Zëvendësndihmëssekretari amerikan i cili në cilësinë e të dërguarit special për Ballkanin Perëndimor, ka qenë i involvuar në bisedimet Kosovë -Serbi, ka treguar se e kishte zgjatur mandatin e tij për një vit shtesë, pasi besonte se do të kishte më shumë progres për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.

“I kam bërë tre vjet mandat, faktikisht kjo punë është punë dy vjeçare, por më herët kam kërkuar që të mbetem edhe një vit sepse vërtetë atëherë besoja se deri në fund të vitit do të kishim më shumë progres në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, se do të kishim implementim të plotë të kërkesave që duhej të përmbushte Serbia dhe të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe se do të ishim në gjendje që ta çojmë Kosovën më afër integrimeve evropiane nëpërmjet Partneritetit për Paqe (NATO) dhe kandidaturës për anëtarësim në BE” –  ka theksuar Escobar.

Advertisement