Kronike
Kush është zyrtari që pastroi 2.1 mln dollarë në prona duke përdorur familjarët?
Miliona euro dhe dollarë, që dyshohet se vinin nga bota e krimit, janë pastruar në sektorin e pasurive të paluajtshme nga zyrtarë publik. Skemat e përdorura ishin thuajse të njëjta, janë blerë prona me para burimi i të cilave nuk justifikohej, dhe më pas shiteshin tek persona të tjerë.
Agjencia e Inteligjencës Financiare, në raportin vjetor 2023, ka identifikuar 7 skema pastrimi parash e korrupsioni, ku volumi më i madh i parave të pista është kanalizuar në sektorin e pasurive të patundshme.
Sipas raportit, një funksionar në një institucion shtetëror, i cili është arrestuar vjet për shpërdorim detyre dhe lidhje të mundshme me krimin e organizuar, së bashku me familjen e tij, brenda 7 vitesh kanë nënshkruar kontrata porosie duke investuar në pasuri të paluajtshme si njësi shërbimi dhe apartamente në vlerë totale rreth 1.5 milion dollarë.
Po ky zyrtar ka porositur po në të njëjtën kompani ndërtimi disa prona së bashku me një ortakun e tij me vlerë 600,000 USD, të cilat i ka paguar paraprakisht, duke thënë se burimi i të ardhurave është “fitimi nga biznesi dhe të ardhurat e siguruara nga emigracioni”. Në total, zyrtari sipas Agjencisë së Inteligjencës Financiare ka pastruar 2.1 milionë dollarë.
I ngjashëm është edhe rasti i një funksionareje publike, e cila sipas raportit gjatë viteve 2014 – 2018, ka investuar në pasuri të paluajtshme 270,000 euro, edhe pse nuk ishte e punësuar.
Nga verifikimet është identifikuar lidhja e saj e ngushtë me një person të dyshuar si i përfshirë në trafikim të lëndëve narkotike, për këtë arsye rasti u dërgua për investigim të mëtejshëm, në organet e zbatimit të ligjit