Politike
7 parti të reja deri në zgjedhje, Spahiu: Basha do humbasë nëse s’kërkon aleanca me 4 prej tyre
Analisti Kreshnik Spahiu ka komentuar në Report Tv situatën në Partinë Demokratike dhe programin elektoral që u prezantua sot nga kryetari Lulzim Basha. Por, Spahiu thotë se Basha do humbasë dhe do dështojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare nëse nuk krijon aleanca me parti të reja, mes tyre edhe me Agron Shehajn, i cili themeloi sot partinë ‘Mundësia’.
Do t’i rekomandoja ndërtimin e një fronti opozitar dhe koalicioni. PD do humbasë dhe dështojë nëse nuk bashkëpunon me 4 parti të reja. Nëse Basha nuk e hedh këtë hap, do minimizojë veten.
Për cilat parti? Agron Shehaj, Adriatik Lapaj, Endri Shabani, Arlind Qori, Dashamir Shehi, Partinë çame, Partinë Agrare. E kam për çdo parti të djathtë dhe partitë e reja. Nuk duhen pasur komplekse, se që të arrish në fitore sistemi të imponon koalicionet. Parimet dhe qëndrimet e moralin ta ruajnë në kuvend. Nëse dështon nuk ka më as parime as moral. Grupimet shpërbëhen dhe programet nuk realizohen”, tha Spahiu
Spahiu: Do krijohen 7 parti të reja deri në zgjedhje, opozita do copëtohet edhe më shumë
Analisti Kreshnik Spahiu thotë për Report Tv se deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do krijohen edhe 7 parti të reja. Kjo sipas tij do të copëtojë edhe më shumë opozitën.
“Do krijohen diku te 7 parti të reja të tjera deri në zgjedhje, do vazhdojë fragmentarizmi i opozitës shqiptare, gjë e cila i largon gjithnjë e më shumë, jo disa muaj e vite por i çon në një limit të paimagjinueshëm, dëm të jashtëzakonshëm shoqëror opozitar me mënyrën si po sillen dhe me mungesën e bashkëpunimit që kanë dhe urrejtjen e xhelozinë që kanë me njëri tjetrin”, tha Spahiu.