Bota
Trump-Meloni, marrëdhënia merr kthesë të papritur: Prej javësh nuk kemi folur
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka pranuar se marrëdhënia e saj me presidentin amerikan Donald Trump nuk është zhvilluar ashtu siç e kishte parashikuar fillimisht.
Në një intervistë për The New York Times, Meloni tha se kishte menduar se bashkëpunimi me Trumpin do të ishte më i lehtë, duke pasur parasysh qëndrimet e përafërta që të dy kanë mbajtur për çështje si emigracioni dhe kundërshtimi ndaj kulturës “woke”.
“Është e qartë se mendoja se me Donald Trumpin do të ishte më e lehtë, duke pasur parasysh qëndrimet tona të përafërta për emigracionin dhe kulturën ‘woke’, por gjërat shkuan ndryshe”, deklaroi Meloni.
Kryeministrja italiane bëri gjithashtu të ditur se prej disa javësh nuk ka zhvilluar një bisedë me presidentin amerikan. E pyetur nëse të dy do të rikthehen në komunikim pas përfundimit të pushimeve verore, Meloni u përgjigj shkurt: “Do të shohim.”
Megjithatë, pavarësisht distancës së krijuar në marrëdhënien personale, Meloni nënvizoi se politika e Italisë nuk përcaktohet nga raportet e saj individuale me liderët e huaj.
Ajo theksoi veçanërisht rëndësinë e unitetit të vendeve perëndimore, duke argumentuar se ky parim mbetet thelbësor për strategjinë e Italisë.
“Vazhdoj të mendoj se uniteti i Perëndimit është thelbësor. Nuk e përcaktoj strategjinë italiane në bazë të marrëdhënieve të mia personale”, u shpreh kryeministrja.
Në intervistë, Meloni foli edhe për rolin që synon të ketë Italia në skenën ndërkombëtare. Sipas saj, vendi nuk duhet ta shohë veten si një fuqi të dorës së dytë, pavarësisht peshës që ka në ekonominë dhe politikën evropiane.
“Nuk më pëlqen ideja e një Italie të nënshtruar, e një Italie që e konsideron veten më të vogël se të tjerët”, tha ajo.
Meloni e përshkroi forcimin e vetëbesimit kombëtar dhe rritjen e peshës së Italisë në arenën ndërkombëtare si një prej objektivave kryesore të qeverisjes së saj. Ajo e cilësoi këtë si një “revolucion krenarie”, duke argumentuar se Roma duhet të luajë një rol më të fortë në vendimmarrjen evropiane dhe ndërkombëtare.
Deklaratat e kryeministres italiane vijnë në një kohë kur marrëdhëniet mes aleatëve perëndimorë po përballen me debate të forta mbi politikën e jashtme, sigurinë, emigracionin dhe rolin e Evropës në raport me Shtetet e Bashkuara.